“Zbardhje”, filmi i ri artistik i regjisores Kaltrina Krasniqi, i prodhuar nga “Vera Films”, ka hyrë në fazën e xhirimeve në Prishtinë. Projekti ribashkon bashkëpunëtorët kryesorë nga filmi i saj i parë me metrazh të gjatë “Vera andrron detin”, i cili pati premijerën në garën Orizzonti të edicionit e 78 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venedik, ndërsa sjell bashkëpunëtorë të rinj në rolet kryesore, departamentet artistike dhe ekipin e produkcionit.
Në rolet kryesore të filmit janë Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi, në role mbështetëse Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili.
Vendosur në Prishtinën bashkëkohore, “Zbardhje” është dramë që ndjek dy gra jetët e të cilave takohen në punë. Fatimja vjen nga periferia e qytetit dhe punon si mirëmbajtëse, kurse Elvira drejton një kompani marketingu në qendër të qytetit. Filmi vëzhgon çfarë lind dhe s’mund të jetojë në mes tyre, përderisa qyteti përreth demolohet dhe rindërtohet.
Filmi “Zbardhje” e përdor zbardhjen si logjikë socio-kulturore, arkitektonike dhe zhvillimore. Hapësira, trupat dhe historitë pastrohen, sanitohen dhe fshihen në emër të aspiratave shoqërore.
Me skenar të Doruntina Bashës dhe producent Ares Shportën, filmi prodhohet me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës – QKK, Komisionit Kombëtar të Filmit të Bullgarisë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare, Qendrës së Filmit të Malit të Zi, IFFR Hubert Bals Fund+Europe dhe Visions Sud Est. Ky film është bashkëprodhim Vera Films (Kosovë), Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).







