Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, bëri me dije sot se një tjetër subjekt shqiptar është dënuar për shkak të prodhimeve të paautorizuara pirate.
Sipas Krasniqit, pas identifikimit nga ekipet e inspektimit në AMA, verifikimit për shkelje të të drejtave të transmetimit dhe raportimit në Google, është hequr nga Google Play Store një tjetër aplikacion që transmetonte në mënyrë të paligjshme kanale televizive shqiptare
Krasniqi tha se bëhet fjalë për aplikacionin “Shiko Shqip”, i cili ofronte qasje të paautorizuar në kanale televizive shqiptare dhe përmbajtje audiovizive të mbrojtura, duke përbërë një rast të qartë të shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjes në internet.
“AMA vijon monitorimin e hapësirës digjitale dhe raportimin e aplikacioneve, platformave dhe faqeve që shpërndajnë në mënyrë të paautorizuar kanale dhe programe televizive, në mbrojtje të të drejtave të transmetuesve”, tha Krasniqi.







