Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) përballet me një stok të lartë detyrimesh të paarkëtuara dhe një performancë të dobët në mbledhjen e gjobave, sipas gjetjeve të auditimit të fundit të Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Raporti thekson problematika të përsëritura ndër vite në menaxhimin financiar dhe ndjekjen e debitorëve, duke ngritur shqetësime serioze për efikasitetin e mekanizmave të mbledhjes së të ardhurave.
Nga analiza e pasqyrave financiare rezulton se llogaritë “Personeli, paradhënie, gjoba” paraqiten në nivelin 5,789,367 lekë, pa asnjë arkëtim të realizuar. Këto detyrime janë akumuluar ndër vite dhe lidhen me një numër prej 71 debitorësh të krijuar që nga viti 2006, përfshirë detyrime nga auditime, institucione qendrore dhe shpenzime telefonie të ish-INUK. Megjithatë, vetëm 2 prej tyre kanë shlyer plotësisht detyrimet, në një shumë minimale prej 20,698 lekësh, duke reflektuar një normë jashtëzakonisht të ulët rikuperimi.
Situata paraqitet edhe më kritike në llogarinë “Debitorë të ndryshëm” , e cila arrin në një total prej rreth 10.06 miliardë lekësh. Pjesa më e madhe, rreth 8.53 miliardë lekë, përbëhet nga gjoba të vendosura ndaj subjekteve dhe bashkive që datojnë që nga viti 2008, ndërsa 1.51 miliardë lekë lidhen me masa ndëshkimore të vendosura nga Policia e Ndërtimit. Në këtë stok përfshihen edhe detyrime më të vogla, si 1 milion lekë për kthim shume në kuadër të një vendimi gjyqësor në proces, si dhe 18.3 milionë lekë për punë të pakryera në kontrata të vitit 2006, për të cilat nuk janë ndjekur procedurat ligjore në kohë, duke sjellë humbjen e të drejtës për arkëtim për shkak të parashkrimit.







