Ballina Politika “E frikshme, kontributin e dikujt e hedh në rrugë të madhe”/ ‘Spastrimi’,...

“E frikshme, kontributin e dikujt e hedh në rrugë të madhe”/ ‘Spastrimi’, Pjetri: Revolta do shkojë deri në Tiranë

113
0

Demokratët e Durrësit janë të revoltuar pas vendimit të PD për përjashtimin e dy anëtarëve nga grupi i PD në Këshilli Bashkiak Durrës, Arlind Boshku dhe Dritan Burgija, vendim i cili erdhi fill pas mbështetjes që treguan ndaj Ervin Salianjit. Ish-kandidati për deputet, më i votuari në listën e hapur të Durrësit, Ndrec Pjetri në një intervistë televizive thotë se revolta e demokratëve të Durrësit nuk do të mbetet pa reagim, por do të shkojë deri në selinë qendrore të PD-së në Tiranë.

“Kjo histori nuk do shkojë pa reagim, dhe reagimi do shkojë deri në Tiranë. Të gjithë janë të revoltuar, kur përjashtohen 2 sot, nesër përjashtohet tjetri. Është pasiguri tek të gjithë demokratët. Ajo që ka ndodh të hënën s’do kalojë qetë, s’do kalojë me një reagim në Facebook. Do merren hapa konkretë, kjo s’ka shqetësuar vetëm ata të dy, por të gjithë demokratët e Durrësit”, u shpreh Ndrec Pjetri.

Pjetri nuk e përjashton mundësinë që edhe ndaj tij të merret një vendim për ta përjashtuar nga partia, duke theksuar se është bërë praktikë, ”kush mendon ndryshe, nuk ka vend në PD”. Ai e quan akt të turpshëm përjashtimin e dy demokratëve nga grupi i PD në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duke vënë në pah edhe kontributin që kanë dhënë për partinë prej vitesh.

Demokrati Pjetri e krahason këtë situatë në PD me partinë e punës, kur përjashtoheshe vetëm pse mendoje ndryshe. Pjetri shton se përjashtimet i shërbejnë vetëm Ramës dhe se sipas tij, kjo strategji tregon se PD nuk trajtohet si parti e anëtarëve të saj, por si pronë e kreu të PD-së dhe sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka.

“Akti më i turpshëm që ndodh në një parti politike në 35 vite. Përjashtimi do shkaqe të forta që të realizohet. Dy demokratët janë prej vitesh punëtorë direkt të forcës sonë, njëri ka qenë kryetar dege dhe tjetri sekretar dege. Ajo që është më e frikshme është se si merret kontributi i dikujt në shumë vite dhe e fshin, e hedh në rrugë të madhe.

Ky veprim ka treguar qartazi që kjo nuk shihet si parti e anëtarëve të saj, por e lidershipit, pronarët qenkan sekretari dhe kryetari i PDSH-së. E njëjta praktikë si në partinë e punës, kur ti kishe mendim ndryshe ose dilje jashtë linjës së partisë, ta shpifnin diçka dhe të përjashtonin, edhe burg kishte në atë kohë, por këta s’i kanë ato kushte”, tha Pjetri.

Sipas Pjetrit, akuzat se dy demokratët e përjashtuar i kanë shërbyer PS nuk qëndrojnë. Ai shprehet se Burgija dhe Boshku e kanë mbështetur gjatë fushatës për kur kandidoi si deputet në listën e hapur të Durrësit.

“Historia nisi që në takimin e parë që ka bërë Salianji në Durrës, i etiketuan që kanë punuar për PS. Unë jam dëshmitar se kam marrë vota, nëse në këtë punë as fjala e kandidatit nuk ka peshë, unë nuk e di çfarë ka peshë. Se 5 mijë votat e mia i bie që i shkojnë Ramës dhe jo PD. Ata kanë bërë fushatë për PD. Ne jemi bashkësi, që na bashkon rrëzimi i Ramës. Rama kështu vetëm ndihmohet, nuk rrëzohet”, tha Pjetri.

Sipas tij, PD nuk është pronë e Nokës dhe përjashtimet nuk mund të bëhen vetëm pse Noka deklaron se dy demokratët punuan për PS.

“Po vërtetimi që ata kanë qenë në fushatë me mua, nuk është provë. Ku janë provat që kanë punuar për PS, apo mjafton ta thotë sekretari i përgjithshëm dhe u mor për e vërtetë. Partia nuk është pronë e sekretarit të Përgjithshëm, është e jona dhe e gjithë shqiptarëve.

Ne duhet të krijojmë premisat për të rrëzuar regjimin. I bie që qëllimi nuk qenka rrëzimi i Ramës, por me mbajt PD. Po të kesh qëllim me rrëzuar Ramën ti do të kërkosh bashkim më të madh, të lejosh garë të brendshme, që të afrohen edhe njerëzit që s’kanë lidhje.

Me aq numra sa ka PD, Ramën nuk e rrëzon dot. Kjo duhet zgjeruar. Por si e zgjeron, me përjashtime, duke larguar ata që kanë 14 vite ushtarë të gatshëm, madje edhe me financim të tyrin. Është bërë praktikë, kush mendon ndryshe s’ka vend tek ne”, tha Pjetri.