Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj një televizioni, duke e cilësuar atë si të angazhuar në mbrojtje të interesave të Belinda Ballukut, të cilën e konsideron si ‘hajduten më të madhe të kombit shqiptar’.
Berisha ngriti shqetësimin për mënyrën se si, sipas tij, po përdoret frekuenca publike, duke theksuar se “vala është pasuri e qytetarëve dhe nuk mund të shfrytëzohet për interesa që bien ndesh me interesin publik”.
“Jam këtu për të denoncuar shfaqen në tregun mediatik te TeleLubisë. Një televizion i licencuar nga Autoriteti përkatës 24 orë në 24 ka si temë të vetme Lubinë dhe avokatinë ndaj Lubisë. Nuk ka akte më të turpshme dhe më abuzive, me hapësirën mediatike sesa të personalizosh një media, me një delikuente që defakto është kryehajdutja, hajdutja e madhe pas Edi Ramës e kombit shqiptar. Tejkalon çdo lloj kufiri, kur ky televizion nga quhet më ABC por TeleLubia. 24 në 24 sulmon verbërisht në mbrojtje të delikuentes, duke treguar se është pjesë e organizatës kriminale të Lubisë”, tha Berisha.
Po ashtu ai hodhi akuza edhe ndaj gazetarit Sokol Balla, për të cilin tha se është anëtar i organizatës kriminale të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës.
“Sokol Balluku, më falni Balla është anëtar e organizatës kriminale Balluku-Rama. Vala është e qytetarëve, nuk është e pronarëve. Vala është pasuri publike dhe nuk mund të përdoret për interesa kriminale kundër publikut shqiptar. Shko merr avokat, sepse edhe vetë je në tavë. Kështu nuk bëhet. Është abuzimi ekstrem. Atë nuk po e bën as televizioni shtetëror.
Të gjitha këto unë i ngre këtu, i denoncoj sepse vala është e publikut, nuk është e pronarëve. Nuk mund të abuzohet në këtë mënyrë. Nuk mund të rreshtohen me dhjetëra dëshmitarë të rreme të Kosovës dhe Shqipërisë vetëm për të mbrojtur një hajdutë të pamëshirë, të pangopur. Rreshtohen 6 dëshmitarë të rremë nga të gjitha viset shqiptare për të mbrojtur një organizatë kriminale, sepse edhe ai që i fton është pjesë e organizatës kriminale”, deklaroi kreu i PD.







