Përmes një deklarate të përbashkët sfide ndaj pushtetit ekzekutiv, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe ajo e Prokurorëve ka reaguar, duke marrë shkas nga zhvillimet politike dhe juridike në Italinë fqinje. Ky reagim vjen si një kundërpërgjigje e tërthortë, por e qartë, ndaj qasjes së Kryeministrit Edi Rama, i cili më herët i ka kritikuar ashpër këto shoqata për përfshirje në debate publike.
Duke vlerësuar rolin e magjistraturës italiane në proceset referendare dhe debatet kushtetuese në shtetin fqinj, shoqatat shqiptare theksojnë se angazhimi i tyre nuk është politikë partiake, por mbrojtje e shtetit të së drejtës.
“Angazhimi i Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve të Republikës së Italisë dëshmoi se një sistem drejtësie i ndërgjegjshëm për misionin e tij merr pjesë në mënyrë aktive dhe të përgjegjshme në jetën demokratike, duke mbrojtur vlerat mbi të cilat ndërtohet drejtësia,” thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, ky lloj aktivizmi “forcon njëkohësisht lidhjen ndërmjet sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve, duke garantuar llogaridhënien dhe ndërtimin e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë.”
Kjo deklaratë rikthen në vëmendje përplasjen e fortë të pak kohëve më parë mes Kryeministrit Rama dhe magjistratëve. Në atë kohë, debati u ndez për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku Rama nuk i kurseu kritikat, duke u thënë se “kjo është punë për mua” dhe duke i akuzuar shoqatat se po silleshin si parti politike sa herë që replikonin me qeverinë në publik.
Megjithatë, shoqatat duket se kanë vendosur të mos tërhiqen, duke e konsideruar pavarësinë e tyre si “oksigjenin” e shoqërisë:
“Sistemi i drejtësisë, me gjithë problematikat që mund të ngrihen në drejtim të tij, përbën oksigjenin e lirive themelore të qytetarëve. Procesi referendar në Itali dëshmoi edhe një herë se pavarësia e sistemit të drejtësisë në tërësi mbetet gur themeli i çdo sistemi demokratik funksional.”
Në atë që mund të lexohet si një paralajmërim ndaj ndërhyrjeve të ekzekutivit, magjistratët theksojnë se roli i tyre është të mbrojnë qytetarët nga çdo tejkalim i kompetencave nga qeveria.
“Edhe në vendin tonë, është detyrë e organeve të sistemit të drejtësisë dhe e çdo magjistrati në veçanti për të rritur besimin e qytetarëve… duke mbrojtur të drejtat dhe liritë kushtetuese nga çdo ekses prej pushteteve të tjera.”
“Shoqatat tona mbeten të vendosura dhe të angazhuara maksimalisht për ta realizuar këtë mision themelor të garantimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, duke marrë përvojat më të mira nga shoqatat homologe të vendeve fqinje.”
Kjo lëvizje e koordinuar e gjyqtarëve dhe prokurorëve sinjalizon një fazë të re të marrëdhënieve me qeverinë, ku drejtësia kërkon të flasë me zërin e saj, pavarësisht “shkopinjve nën rrota” nga politika.







