Raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Meteorologjisë tregon se klima globale po përkeqësohet me ritme alarmante.
Oqeanet kanë shënuar rekorde nxehtësie për nëntë vitet e fundit, akullnajat dhe akulli detar po tërhiqen, dhe moti ekstrem po shkakton dëme dhe vdekje në mbarë botën.
Vitit të kaluar u regjistruan përmbytje të mëdha në Teksas, një uragan i fortë goditi Xhamajkën, akullnajat e Islandës u shkrinë me shpejtësi rekord dhe temperaturat globale arritën nivele shumë të larta.
Çdo vit, rreth 1.2 miliardë punëtorë janë të ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme, ndërsa fatkeqësitë natyrore kanë detyruar 250 milionë njerëz të zhvendosen gjatë dekadës së fundit.
Raporti paralajmëron se niveli i gazrave serrë ka arritur maksimumin historik dhe se shkaktar kryesor i ngrohjes globale është përdorimi i lëndëve fosile, si nafta, qymyri dhe gazi.
Çekuilibri energjetik i Tokës ka arritur nivel rekord, që do të thotë se më shumë energji diellore hyn në planet sesa mund të dalë përsëri, duke përshpejtuar ngrohjen.
Oqeanet, që përmbajnë 91% të energjisë së tepërt, po humbasin aftësinë për të mbajtur ekuilibrin. Temperaturat e larta po zbardhin koralet, pakësojnë popullatat e peshqve dhe rrisin rrezikun nga stuhi dhe ngritje e nivelit të detit.
Akulli në Arktik dhe Antarktik është në nivelet më të ulëta të regjistruara, dhe humbja e akullnajave kërcënon furnizimin me ujë të dy miliardë njerëzve.
Ekspertët paralajmërojnë se vendet duhet të largohen sa më shpejt nga lëndët fosile dhe të kalojnë tek energjia e rinovueshme për të ndaluar dëmet më të mëdha dhe për të mbrojtur të ardhmen e planetit.







