Ballina Aktualitet ‘Njëra dorë lan tjetrën’ – si ‘çorapja e Dumanit’ mori copy-paste mbrojtjen...

‘Njëra dorë lan tjetrën’ – si ‘çorapja e Dumanit’ mori copy-paste mbrojtjen e Irenës me 3 mbiemra dhe mbylli hetimet

102
0

Pas 8 muaj hetime administrative dhe jo penale, prokurori i posaçëm i SPAK, Bledar Maksuti, vendosi të dalë në konkluzionin përfundimtar se gjyqtarja me 3 mbiemra, Irena Gjoka alias Maneku alias Shpata, nuk ka kryer asnjë vepër penale siç është “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe kësisoj sipas SPAK, Irena nuk ka cënuar dhe besimin e publikut.

Rasti në fjalë tregoi qartë se një gjyqtar i dënuar në Greqi dhe që i është fshehur për vite me rradhë drejtësisë helene, ka dënuar në Shqipëri dhe burgosur qindra qytetarë, përfshirë dhe funksionarët kryesorë të opozitës shqiptare.

Konkluzioni në dosje i Maksutit, është një marrje me USB e materialit “Copy-Paste” nga Irena Gjoka, material të cilin gjyqtarja e dënuar në Greqi, ia paraqiti si mbrojtje disa kohë më parë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Maksuti, që njihet nga administrata e SPAK si “Çorapja e Altin Dumanit”, rezulton të mos ketë kryer asnjë veprim hetimor ndaj Irena Gjokës, me qëllim kërkimin e provës për pasjen ose jo dijeni të saj për dënimin në Greqi, qoftë me sekuestrimin e telefonit të gjyqtares apo kryerjen e veprimeve proaktive ndaj familjarëve të saj të lidhur.

Për 8 muaj me rradhë, Maksuti është mjaftuar vetëm në mbledhjen e dokumentave shkresore, nga institucionet shqiptare dhe autoritet Greke.

Por asgjë nuk ka kryer në aspektin e kërkimit të provës, për të mësuar nëse realisht Irena Gjoka apo familjarë të saj, kanë pasur dijeni apo jo për dënimin e saj në Greqi dhe dëbimin dy herë të saj nga autoritet Greke.

Përmes formulës “Njëra dorë, lan tjetrën”, prokurori Bledar Maksuti vendosi të pushojë ndjekjen penale për dosjen e kallëzuar nga PD për Irena Gjokën.

Këto vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt interesi, vijojnë ta mbajnë në detyrë Irena Gjokën, duke e kthyer atë në “Shpatën” kryesore të prokurorisë së posaçme SPAK për goditjen e elementëve politikë të Opozitës Shqiptare.

Sa herë që kanë probleme, prokurorë dhe gjyqtarë mbulojnë njëri-tjetrin duke mbyllur hallet dhe vështirësitë që kanë me ligjin.

Prokuroria e posaçme, SPAK, mjaftohet me faktin se Irena Gjoka në vitin 2005 e në vijim, nuk ka pasur dijeni për dënimin ndaj nuk e ka deklaruar, këtë dënim të marrë me burg dhe gjobë nga gjykata e Janinës.

Por çuditërisht në vitin 2004, përpara një noteri publik në Fier, Gjyqtarja e Posaçme, ka autorizuar një avokat, Andon Konomi, me qëllim heqjen e dy ekspulseve të vendosura nga autoritet policore Greke në pikën kufitare të Kakavijës.

Sipas dosjes hetimore, në vitin 2004 i drejtohet me cilësinë e kërkueses, Gjykatës së Athinës për të hequr 2 ekspulset, por kjo e fundit shpall moskompetencën dhe ia përcjell Gjykatës së Janinës, nga ku është rrëzuar kërkesa e Irenës me 3 mbiemra.

Një katastrofë juridike, ka ndodhur me rastin e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, ku tashmë besueshmëria e institucionit shumë të përfolur në opinionin vendas dhe ai ndërkombëtar, është kthyer përmbys.

As në kohën e inkuizicionit, nuk ka ndodhur që një gjyqtar i dënuar për një krim, t’i dorëzohej çekiçi i Drejtësisë, për të dënuar dhe burgosur të tjerët.

Kjo s’mund të tolerohet më. Aq më tepër në një institucion nga më të paguarit në vend, ku pritshmëritë janë të larta dhe mbi të gjitha standardi i gjykimit dhe standardi i integritetit, duhet të bazohet në të drejtat themelore të GJEDNJ-së dhe reciprociteti i palëve në proces./Syri