Ballina Aktualitet Qeveria miraton rregullat e përzgjedhjes së kompanive të basteve

Qeveria miraton rregullat e përzgjedhjes së kompanive të basteve

104
0

Qeveria ka miratuar përmes një vendimi të posaçëm procedurat dhe kriteret se si do të jepen liçencat e basteve online. Sipas vendimit, liçencat do të jepen përmes një konkurrimi me një fazë, i cili shpallet nga Komisioni i Liçencave.

Ky komision i Posaçëm shpall datën e konkurrimit dhe numrin e liçencave që do të shpërndahen. Kompanitë e interesuara do të paraqesin aplikimet e tyre pranë Autoritetit të Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit, sipas formatit të përcaktuar nga Ligji për lojrat e Fatit. Sipas vendimit, aplikimet duhet të paraqiten vetëm nga persona juridikë të regjistruar si shoqëri aksionare.

“Hapja e aplikimeve kryhet nga Komisioni i Licencave me asistencën e sekretariati teknik njëkohësisht për të gjithë aplikantët, në datën, vendin dhe orën e përcaktuar për hapjen e aplikimeve të tyre në njoftimin për konkurrim. Procesi i hapjes së aplikimeve duhet të monitorohet në mënyrë të pandërprerë me kamera dhe audio,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Pas hapjes, Komisioni i Licencave ja dorëzon aplikimet Autoritetit të Mbikyrjes së Lojrave të Fatit, ku një grup i posaçëm pune do të vlerësojë nëse dokumentat janë në përputhje me ligjin dhe do të përpilojë relacionin përkatës, të cilin ja dorëzon sërish Komisionit të Liçencave.

Për ato aplikime që vlerësohen si në përputhje me ligjin Komisioni do të kryejë vlerësimin sipas një metodologjie, ku 30 pikë i ka vlera e tarifës, 30 pikë të tjera përvoja në fushën e lojrave të fatit, plani i biznesit ka 5 pikë, kapaciteti organizativ 20 pikë dhe zgjidhja softuerike 15 pikë.