Sa peshon Adrien Rabiot? Jo në kuptimin fizik, edhe pse mesfushori francez mund ta përballonte lehtësisht këtë diskutim. Pesha e tij matet mbi të gjitha brenda Milanit. Është thënë dhe dëgjuar shpesh kohët e fundit: Ekziston një Milan me dhe një Milan pa Rabio.
I pari, për mesatare pikësh, do të ishte madje në krye të renditjes përpara Interit, nëse Rabiot do të kishte luajtur të gjitha ndeshjet. I dyti, përkundrazi, vuan jashtë mase mungesën e “Kalit të Çmendur”, aq sa mesatarja e pikëve nuk do të mjaftonte as për t’u kualifikuar në Europë. Për fat të Masimiliano Alegri, ish-lojtari i Marsejës nuk ka më pezullime nga kartonët (i fundit i verdhë i kushtoi mungesën ndaj Lacios dhe kuqezinjtë humbën në “Olimpico”) dhe në Napoli, pas pauzës së kombëtareve, do të jetë një nga protagonistët e supersfidës që mund të vendosë njëherë e mirë se kush do të jetë rivali kryesor i Interit për titullin.
UDHËTIME DHE TABU Rabiot ndodhet aktualisht në SHBA me Francën për miqësoren e luksit kundër Brazilit të Karlo Ançelotit. Më pas, të hënën në Uashington, sfida ndaj Kolumbisë. Lodhja e udhëtimit përtej oqeanit do të përballohet pa problem, pasi Milani do të luajë në Napoli ditën e Pashkës. Adrien do të kthehet në Itali mes të martës dhe të mërkurës, në kohë për të përgatitur si duhet ndeshjen në “Maradona”. Do të jetë rasti për të thyer një mallkim. Rabiot ka humbur gjithmonë në stadiumin e quajtur “Diego Armando Maradona”. Katër ndeshje në Napoli me Juventusin (plus një si i dëmtuar) dhe katër humbje. Madje, Napoli është skuadra italiane ndaj së cilës ai ka luajtur më shumë ndeshje (12) pa shënuar asnjë gol, duke grumbulluar edhe pesë kartonë të verdhë. Një provë e madhe për të kuptuar nëse, siç thotë Alegri, ky është Rabiot më i mirë i karrierës. Thyerja e “magjisë” napolitane do të ishte një tjetër provë në favor të kësaj teze.
LIDERI Shifrat tregojnë një sezon deri tani me 5 gola dhe 4 asiste në 21 ndeshje, mbi 10.9 kilometra të përshkuara çdo ndeshje dhe një saktësi të pazakontë në pasime (87%) për një lojtar që vrapon si një “Kalë i Çmendur”. Por ajo që statistikat nuk e tregojnë është lidershipi i Rabiot, në fushë dhe jashtë saj. Ai është lojtari që Alegri e hedh menjëherë titullar kundër Bolonjas pas vetëm pak stërvitjesh në Milanelo. Ai që nis përmbysjen e madhe nga 0-2 në 3- 2 në Torino më 8 dhjetor me një gol spektakolar nga distanca. Ai që në Komo ringre një Milan të dominuar, duke fituar penalltinë e barazimit dhe duke realizuar dopietën për 3-1 përfundimtar. Me pak fjalë, është lojtari që kur loja bëhet e vështirë, fillon të luajë seriozisht. Dhe pikërisht kjo do t’i duhet Milanit edhe në Napoli më 6 prill, në një përballje “jetë a vdekje” për titullin kampion.







