“Një ditë, mësuesi nuk u kthye më në klasë. Po atë ditë u përhap lajmi se e kishin arrestuar mësuesin dhe e kishin burgosur”, shkruan Pali. Edhe sot e kujton me dhimbje atë ditë kur mësoi se një ndër njerëzit e tij më të dashur, mësues dhe mbështetës në rrugëtimin e dijes, nuk do të ishte më në klasë.
Në kujtesën e një zone si Nikaj-Mërturi, historia nuk rrëfehet vetëm me data dhe ngjarje, por edhe me personazhe që lanë gjurmë në jetë të tjera në heshtje, shpesh në rrethana të vështira. Një prej tyre është Gjelosh Progni, mësuesi që sfidoi kohën, frikën dhe regjimin.
“Gjelosh Progni ishte mësuesi im i parë”, rrëfen Pal Neçaj në librin e tij “Udhë Brezash”. Në shkollën e Gjonpepajve, ku Gjeloshi ishte edhe drejtues, një urdhëresë e kohës përjashtonte nga detyrimi shkollor fëmijët e lindur në vitet 1934–1936. Një vendim që për shumë njerëz mund të ishte formal, por për një fëmijë si Pali, ishte një moment që ndikonte përgjithmonë të ardhmen e tij.
Prej frikës se mund ta largonin nga shkolla, ai rrëfen se ndërmori një veprim të dëshpëruar, duke ndryshuar datëlindjen në certifikatë. Një përpjekje që do ta vërente lehtësisht mësuesi i tij.
“Ti, Pali, mos u largo për në shtëpi, por më prit jashtë”, i tha Gjeloshi me një ton serioz që nuk linte vend për kundërshtim. Pali priti për gati një orë, derisa mësuesi vendosi ta shoqëronte vetë drejt shtëpisë. Rrugës i kërkoi shpjegim dhe, përballë sinqeritetit të nxënësit, mori një vendim që do të ndryshonte gjithçka. Mësuesi u kërkoi prindërve të Palit të mos e largonin nga shkolla. Ishte një kohë që familjet kërkonin më shumë forca pune dhe për shumë prej tyre ishte humbje kohe shkolla. Mësues Gjeloshi i kërkoi prindërve të Palit që ta lejonin të vinte në shkollë, pasi kishte vënë re dëshirën e tij për arsim. Ishte një kohë kur analfabetizmi në Shqipëri ishte në përqindje shumë të madhe në popullsi. Për shkak edhe të lidhjeve fisnore të familjes së Palit me mësuesin, Pali vazhdoi shkollën dhe më pas do të vijonte studimet në ciklet më të larta për t’u bërë një ndër kuadrot më në zë të zonës. Por për mësuesin do të kishte një tjetër rrugëtim.
“Një ditë, mësuesi nuk u kthye më në klasë. Po atë ditë u përhap lajmi se e kishin arrestuar mësuesin dhe e kishin burgosur”, shkruan Pali. Edhe sot e kujton me dhimbje atë ditë kur mësoi se një ndër njerëzit e tij më të dashur, mësues dhe mbështetës kryesorë, nuk do të ishte më në klasë. Vitet kaluan dhe mësues Gjeloshi përfundoi dënimin prej 16 vitesh për t’iu kthyer jetës në liri, por gjithnjë i sulmuar dhe i përndjekur nga regjimi komunist. Do të vuante bashkë me familjen persekutimin dhe, për më tepër, ndarjen prej miqve e njerëzve të afërt për shkak të “biografisë”, sepse në kohën e diktaturës, një familje që konsiderohej me biografi të keqe mbahej në distancë. Në një kohë kur shumëkush shmangte kontaktet me të përndjekurit, dera e shtëpisë së Palit mbeti e hapur për mësues Gjeloshin. Pali nuk e shmangu kurrë lidhjen që pati me të. E rrëfen edhe i biri, Sokol Neçaj, i cili ruan në kujtesë një detaj me rëndësi, pse mësues Gjeloshi vinte vetëm natën në shtëpinë e tyre.
“Gjeloshin e kujtoj që kur isha fëmijë, pa hyrë në shkollë. Tek ne vinin shumë njerëz nga zona jonë. Por Gjeloshi ishte i vetmi që fliste si me të rriturit edhe me mua që isha fëmijë. Kjo më bënte përshtypje dhe doja të vinte më shpesh, dhe gati gjithnjë vinte natën. Një herë e pyeta pse nuk vjen ditën, që të kemi kohë më shumë për të folur. Më vuri dorën në kokë, duke më parë drejt në sy, më tha se pse vij natën do ta kuptosh kur të rritesh! Dhe e kuptova vërtet, pasi me babin ishin shumë të lidhur dhe ai nuk donte t’i shkaktonte telashe duke u përfolur nga njerëzit e ligj. Prej Gjeloshit kam dëgjuar gjëra që janë thënë hapur vetëm pas ’90-ës… Duhet vërtet të shkruhet për të, se e meriton dhe jemi krenarë që ishte besnik dhe jo frikacak si shumë të asaj kohe”, thotë Sokol Neçaj.
Pas historisë së mësuesit nikajmërturas Gjelosh Progni qëndron një betejë e gjatë sakrificash që nuk u ndalën kurrë. Në moshë të mitur ai u largua nga familja për t’u arsimuar në Internatin e Krumës, për shkak se në fshatin dhe zonën e tij nuk kishte mundësi arsimimi. I ati, Nosh Prekë Progni, kishte kuptuar fuqinë e dijes dhe kështu vendosi që të dy djemtë t’i dërgojë në Internatin e Krumës si e vetmja mundësi arsimimi. Gjeloshi përfundoi ciklin e ulët në Internatin e Krumës dhe më pas vazhdoi studimet në gjimnazin e Shkodrës, mori mësime nga klerikë të nderuar katolikë, të cilët kontribuan në arsimimin e brezave. Gjeloshi përfundoi studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera. Prej andej ai nisi studimet në Romë për teknik ndërtimi, i specializuar si gjeometër. Për shkak të luftës u detyrua të ndërpresë studimet dhe në vitin 1939 u kthye në atdhe. Ai shërbeu për dy vite në Korçë në ndërtimin e rrugëve. Më pas u kthye në vendlindje për të kontribuar në arsim. Kjo për shkak të mungesave të kuadrove arsimorë në atë kohë. Do të vazhdonte kontributin në arsim deri ditën kur u arrestua në mars të vitit 1949. Ishte angazhuar në lëvizjen antikomuniste të Nikaj-Mërturit bashkë me të vëllanë, Ndue Noshi, dhe shumë malësorë të kësaj krahine. Do të shpallej “armik i popullit” për të nisur kalvarin e vuajtjeve në diktaturë. Pas arrestimit të Gjelosh Prognit, do të pushkatohej i vëllai, Ndue Noshi, ndërsa nëna Sofi dhe bashkëshortja e Gjeloshit, Zoja, bashkë me fëmijët e mitur, do të dënoheshin me internim në Tepelenë. Gjelosh Progni vuajti 16 vite burg, duke nisur nga kampi i Maliqit, kampi i Bedenit, Rinasit e më pas në burgun e Burrelit.
Jetoi me sulmet dhe përndjekjen e diktaturës deri në fund të regjimit komunist. U nda nga jeta më 28 mars 1997. Pas vdekjes, Bashkia Tropojë i ka akorduar një certifikatë mirënjohjeje për kontributin në zhvillimin e arsimit dhe edukimin e brezave në Nikaj-Mërtur. /Kujto.al







