Ballina Aktualitet Shpopullimi/ 48 mijë shqiptarë u bënë shtetas të BE-së në 2024-n, të...

Shpopullimi/ 48 mijë shqiptarë u bënë shtetas të BE-së në 2024-n, të tretët në gjithë botën

126
0

Vala e re e emigracionit masiv që ka përfshirë vendin po reflektohet në numrin e lartë të shtetësive që po marrin shqiptarët në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Të dhënat e fundit të Eurostat bëjnë të ditur se për shtetasit shqiptarë u dhanë 48 mijë shtetësi nga vendet e BE-së ku ata jetonin, duke i renditur ata të tretët, pas Sirisë dhe Marokut, dy shtete me një popullsi shumë më të lartë sesa Shqipëria.

Italia është vendi që ka dhënë më shumë shtetësi për shqiptarët, me 66% të totalit, e ndjekur nga Greqia, me 22.3, Gjermania 6.6%, Suedia 1.6% dhe të tjerat 3.8%.

Në Greqi, shqiptarët renditen të parët për marrjen e shtetësisë, dhe në Itali po ashtu.

Europa

Eurostat njoftoi se në vitin 2024, pothuajse 1.2 milionë persona fituan shtetësinë e vendit të BE-së ku jetonin, një rritje prej 11.6% (+122 700 persona) krahasuar me vitin 2023. Numri i shtetësive të dhëna u rrit me 54.5% krahasuar me vitin 2014, kur u dhanë gjithsej 762 100 shtetësi.

Pjesa më e madhe e këtyre shtetësive të reja u dha nga Gjermania (288 700; 24.5% e totalit të BE-së), Spanja (252 500; 21.4%) dhe Italia (217 400; 18.5%).
Shumica e përfituesve (88.0%) ishin nga vende jashtë BE-së, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera të BE-së përbënin 10.6%.

Në vitin 2024, ashtu si edhe një vit më parë, shtetasit sirianë përbënin grupin më të madh të qytetarëve të rinj të BE-së, me 110 100 shtetësi të dhëna. Shtetasit marokenë ishin grupi i dytë më i madh, me 97 100 shtetësi të dhëna, të ndjekur nga shqiptarët (48 000).

Norma e natyralizimit tregon numrin e personave që fitojnë shtetësinë në një vend gjatë një viti, në raport me numrin total të banorëve jo-shtetas në fillim të atij viti.

Në vitin 2024, Suedia regjistroi normën më të lartë të natyralizimit ndër vendet e BE-së, me 7.5 shtetësi të dhëna për çdo 100 banorë jo-shtetas, e ndjekur nga Italia (4.1) dhe Spanja dhe Holanda (secila me 3.9).

Në anën tjetër të shkallës, normat më të ulëta të natyralizimit për 100 banorë jo-shtetas u regjistruan në Lituani (0.1), Bullgari dhe Estoni (secila me 0.3).