Ballina Politika Korrupsioni si kulturë dhe grabitja e votës si sistem

Korrupsioni si kulturë dhe grabitja e votës si sistem

100
0

Nga Luçiano Boçi 

Në Shqipëri, korrupsioni ka pushuar së qeni devijim, sepse nuk kemi të bëjme më me raste të izoluara as me skandale të përkohshme, apo me njolla që pushteti përpiqet t’i lajë me propagandë.

Falë Ramës si dirigjues të tij ai është shndërruar në kulturë qeverisëse.

Jo kulturë e shoqërisë siç e transmeton dikush nga maja e Evropës, por kulturë e një sekti në pushtet.

E kjo preket kudo.

Në mënyrën si qeveriset, si ndahen paratë publike, si emërohen njerëzit, si heshtin institucionet, si blihet servilizmi dhe si ndëshkohet ndershmëria.

Korrupsioni është bërë klimë e imponuar nga “diejt” rrezullues korruptivë ose më saktë djajtë rrezatues korruptivë.

Por kjo është vetëm gjysma e së keqes. Gjysma tjetër, edhe më e rrezikshme për vendin, është se grabitja e votës është kthyer në sistem.

Jo si episod. Jo si teprim militantësh. Por si mekanizëm i menduar, i ndërtuar dhe i përdorur për të ruajtur pushtetin me çdo kusht. Administrata vihet në shërbim të partisë, shteti ngatërrohet me fushatën, favoret shpërndahen si ryshfet elektoral, presioni ushtrohet mbi qytetarin, ndërsa vota trajtohet jo si vullnet i lirë, por si plaçkë për t’u rrëmbyer.

Shqipëria sot është autokraci elektorale par exellence.

Këtu qëndron drama e madhe e vendit pasi korrupsioni nuk ushqen vetëm pasurimin e një pakice, por edhe deformimin e vetë demokracisë.

Sepse një pushtet i korruptuar nuk mjaftohet duke vjedhur paratë. Ai kërkon të kontrollojë edhe mënyrën si fitohet mandati për t’i vjedhur ato nesër. Kështu krijohet rrethi vicioz i stërthënë. Korrupsioni prodhon manipulim elektoral dhe manipulimi elektoral mbron korrupsionin.

Edi Rama nuk ndërtoi thjesht një qeveri. Ai ndërtoi një model. Një model ku fasada shitet si reformë, propaganda si sukses, klientela si meritë dhe vota si pronë.

Në këtë model, morali publik është rrënuar pak nga pak, deri sa qytetari pothuaj po mësohet me të keqen duke e pranuar normale.

Kjo është fitorja më e madhe e një autokracie elektorale.

Aspak kur bind njerëzit me zhurmë mediatike, por kur i lodh kaq shumë sa të mos besojnë më se ndryshimi është i mundur.

Ndaj beteja sot nuk është vetëm kundër disa aferave, disa emrave apo disa dosjeve.

Është kundër një mendësie që e ka kthyer korrupsionin në mënyrë jetese politike dhe grabitjen e votës në teknikë mbijetese qeverisëse.

Kjo nuk është më thjesht krizë qeverisjeje. Është krizë e rendit demokratik.

Mos harroni se një vend nuk vdes vetëm kur i vidhen pasuritë.

Vdes plotësisht kur i vidhet besimi.

Kur qytetarit i merret bindja se vota e tij ka peshë, se ligji vlen për të gjithë si i barabartë, se shteti nuk është një plaçkë në duart e të fortit.

Në këtë pikë gjendet sot Shqipëria, mes korrupsionit si kulturë dhe grabitjes së votës si sistem.

Kjo pikë është grisja e republikës së qytetarëve dhe ngritja e republikës së klientëve.

E kjo është arsyeja pse përballja me këtë model nuk është më zgjedhje politike. Është detyrim kombëtar!