Ballina Politika Berisha: Rama po grabit portin e Durrësit për të ndërtuar një tjetër...

Berisha: Rama po grabit portin e Durrësit për të ndërtuar një tjetër 6 herë më të vogël!

115
0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me Departamentin e Çështjeve Sociale në PD, ka denoncuar atë që e cilësoi si një aferë të rëndë me Portin e Durrësit, duke akuzuar qeverinë për grabitje të pasurive publike.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se projekti për transformimin e portit përbën një dëm të madh ekonomik për vendin, pasi, sipas tij, po zëvendësohet një aset strategjik me një port shumë më të vogël. “Po grabitet pasuria numër një e vendit për të ndërtuar një port 6 herë më të vogël,” u shpreh ai.

Ai theksoi se territori aktual i portit, me një sipërfaqe prej rreth 1.2 milionë metrash katrorë, po i hap rrugë një projekti ndërtimi me apartamente, hotele dhe struktura turistike, që sipas tij favorizojnë interesa të ngushta.

Berisha shtoi se porti ekzistues përfaqëson një investim të akumuluar ndër vite dhe zhdukja e tij, sipas tij, është një akt i paprecedentë. Ai kritikoi gjithashtu projektin për ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano, duke pretenduar se kapaciteti i tij do të jetë shumë më i kufizuar krahasuar me portin aktual dhe me porte të tjera të rajonit.

Në vijim, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në këtë projekt dhe për favorizim të investitorëve të huaj, ndërsa theksoi se kostoja e ndërtimit të portit të ri do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë.

Sali Berisha: Sot në propocion ne jemi kombi që braktisim më shumë vendin sa asnjë komb tjetër.
Ne qëndrojmë në krye të boshatisjes së vendit.
Vetëm në vitet 2014-2023, sipas EUROSTAT, janë larguar nga Shqipria 1 milionë e 99 mijë vetë, këta vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë që janë larguar drejt Kanadasë, SHBA dhe zonave të tjera të planetit.
Në fakt pra i bie mbi 45 përqind e shqiptarëve në 10 vite.
Kurrë nuk gjendet një pushtues që të ketë larguar kaq shumë shqiptarë nga Shqipëria.
Shqiptarët e larguar nga Shqipëria gjatë këtij regjimi janë dy herë më shumë se ata që u larguan nga Kosova në zbatim të platformës së Vaso Çubrilloviçit.
Dhe cilido që lexon elaboratet famëkeqe, gjen se janë përdorur në Shqipëri pothuajse të njëjtat metoda që sugjeronte Vaso Çubrilloviç të përdoreshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Por në themel të të gjithë faktorëve që kanë krijuar këtë goditje të tmerrshme kombëtare, që u hoqën shqiptarëve, të jemi realistë, faktorin më kryesor të përballjes në sukses në ekzistencë me kombet e tjera, faktorin demografik, qëndron varfëria.
Varfëria në një tokë, në një vend, i cili për sipërfaqen që ka, mund të jetë toka dhe vendi i pasurive më të mëdha në Evropë ose kudo më gjerë.
Nuk ka një vend të dytë, u them me bindje absolute, por edhe me të dhëna të padiskutueshme, që të ketë pasuritë përrallore të Shqipërisë në një sipërfaqe 28 mijë metra katrorë. Nuk gjendet një vend tjetër.
Por ajo që ka ndodhur këto 12 vite, ka ndodhur ajo që në histori ka ndodhur me kombet e kolonializuara.
Në vendet e kolonializuara, pasuritë kombëtare shndërroheshin në mallkim kombëtar sepse ato nuk ndryshonin jetën e qytetarëve, por grabiteshin, plaçkiteshin nga kolonizatorët, kurse qytetarët shfrytëzoheshin.
Në Shqipëri, e thatë shumë drejt, në këto 13 vite është vendosur sistemi i oligarkisë, është vendosur një sistem plaçkitje universale ku oligarkë dhe qeveritarë në një konglomerat gjigant plaçkisin çdo ditë qytetarët.
Është vendosur një sistem i cili të mirat publike, pasuritë publike i shndërron në pasuri të grupeve të vogla dhe ua plaçkit qytetarëve.
Do ndalem vetëm në një shembull, dhe kurrë nuk duhet të harrojë asnjë shqiptar, porti i Durrësit si vepër publike, është sot pasuria numër një në vlerë po ta vlerësosh edhe më e madhe se kaskada e Drinit. Në vlerë po ta vlerësosh në tërësi.
Ajo zhduket para syve tanë në mënyrën më të paimagjinueshme.
Del një arap nga deti dhe thotë do ndërtoj Dubain e 1001 netëve me Edi Ramën.
Vetëm sipërfaqja, trualli është 1 milion e 200 mijë metër katrorë. Pa llogaritur të gjithë investimin mijëravjeçar të shqiptarëve në hyrjen e portit, në kalata, etj me radhë.
Ky tani zhduket.
Do ndërtojmë një port tjetër.
Zhduket se aty do ndërtohen 12 mijë apartamente të Dubait të Edi Ramës, gjashtë hotele, pesë pishina, etj me radhë.
Dhe, do ndërtojmë portin tjetër, normal, shtetet ndërtojnë porte.
Por të lësh një port mijëravjeçar, të grabisësh një port mijëravjeçar me këto vlera, dhe të shkosh ta zëvendësosh me një port 6 herë më të vogël si kapacitet dhe tua shesësh shqiptarëve si porti më i madh i rajonit, në një kohë që është 40-50 herë më i vogël Porto Romano se Pireu dhe dhjetëra herëmë i vogël se Selaniku e me radhë, do të thotë të tallesh dhe të injorosh si pushtues qytetarët e këtij vendi.
Dhe këtë port të ri do ta ndërtojnë po taksapaguesit shqiptarë, do e paguajnë këta që numërojnë kafshatën.