Ballina Dossier HISTORI/ Dedë Gjo Luli në shërbim të atdheut

HISTORI/ Dedë Gjo Luli në shërbim të atdheut

58
0

Nga Prof. dr. Lush Culaj

Dedë Gjo Luli i përkiste barkut Dedvukaj të fisit të Hotit. Në atë kohë Hoti mbahej i pari i bajrakëve të Ma­lësisë të Madhe. Deda u lind në Traboin në vitin 1840. Ishte i vetmi djalë i Gjon Lulit. Iu dha emri i gjyshit, Dedë Broçit. Pa i mbushur ende dy vjet i vdes i ati. Në moshë të re ishte martuar me Prenda Gjeloshin nga Selishta e Grudës me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.

Sipas disa historianëve, në kuvendin e Lidhjes Shqip­tare të Prizrenit, më 1878, Dedën e shohim së bashku me Çun Mulën si përfaqësues të Hotit dhe të Traboinit. Kur në gusht 1878 Kongresi i Berlinit vendosi kufirin midis Perandorisë Osmane dhe Malit të Zi, duke përfshirë brenda kufirit të ri malazez Plavën dhe Gucinë, Dedë Gjo Luli bëri rezistencë kundër këtij vendimi gjatë viteve 1879-1880.

Në vitin 1906 Dedë Gjo Luli kishte kërkuar një flamur kombëtar, të cilin ia kishte sjellë Aladro Kastrioti përmes Preloç Prengës. Flamuri kishte qenë i gjatë dy metra. Në dekadën e parë të shekullit XX, perso­nal­iteti i Dedë Gjo Lulit u ngrit në rangun e personaliteteve më të shquara kombëtare.

Vitet 1910, 1911 dhe 1912 ishin për shqiptarët e naty­risht edhe për Dedën periudhë e provave të rënda. Ushtria e Perandorisë Osmane më 1910 e shtypi kryengritjen e Ko­so­vës dhe bëri çarmatosjen e Shqipërisë së Veriut. Në rrethanat e krijuara Ded Gjo Luli, për arsye taktike, hyri në aleancë me Malin e Zi. Atë që nuk u arrit një vit më pa­rë në Ko­sovë, u përpoqën ta vinin në vend malësorët e Mbi­shkodrës në vitin 1911. Ata filluan përgatitjet për luftë kun­dër Perandorisë Osmane.

Qeveria malazeze ishte e interesuar që kryengritja të mos merrte karakter kombëtar. Këtë e dëshmonte edhe ga­zeta “Cetinski glasnik”, me ç’rast tërheq vërejtjen se Mali i Zi duhej të vihej në krye të kësaj kryengritjeje që kishte qëllim autonominë e Shqipërisë. Pikërisht për këtë gjë, kral Nikolla përpiqej që ngjarjet të kishin vetëm karakter lokal, duke u kufizuar në viset e Malësisë.

Edhe gazeta tjetër malazeze “Glas Crnogorca” shkru­ante se “fitimi i autonomisë së Shqipërisë është fundi i testamentit tonë në Ballkan”.

Kryesisht të krishterët e Shkodrës kishin besim tek Austro-Hungaria si mbrojtëse e katolikëve kundër Pera­n­do­­risë Osmane.

Pavarsisht interesit të saj për qetësimin e situatës në Shqipëri me rastin e kryengritjes të Malësisë të Madhe më 1911, Vjena synonte në projektet e saj për krijimin e në Shqipërie autonome.

Shpërthimi i kryengritjes së vitit 1911

Më 14 mars 1911 Mali i Zi ua ndaloi ndihmat të arra­tisurve shqiptarë në Mal të Zi, pasi shqiptarët nuk pranuan të luftonin nën flamurin malazez. Në këto rrethana, malësorët, nën kërcënimin e urisë, të armatosur dobët dhe ende të paorganizuar si duhet, u detyruan ta fillonin kryengritjen para afatit.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, e vitit 1911, përbën njërin ndër momentet kryesore të periudhës së Rili­ndjes Kombëtare.

Implikimi i Malit të Zi në krye­ngri­tje bënte që Fuqitë e tjera të Mëdha, siç ishin Italia dhe Au­stro-Hungaria, të cilat kishin interesat e tyre strategjike në Evropën Juglindore, të reagonin duke shtuar interesimin dhe gatishmë­rinë për atë që mund të ndodhte. Mali i Zi u përpoq që përpara Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane të dukej neutral. Nga ana tjetër Pera­ndoria Osmane i ofroi Dedë Gjo Lulit edhe para për të nda­luar kryengritjen, por ai nuk pranoi.

Midis malëso­rëve të arratisur ishin 400 vetë nga Kas­trati, të prirë nga Zenel Shabani, 400 të tjerë nga Hoti, të prirë nga Dedë Gjo Luli, 800 nga Shkreli, të prirë nga Prend Marashi, 400 nga Gruda me bajraktar Dedë Nikajn etj. Dedë Gjo Luli hodhi poshtë propozimet e Krajl Nikollës që veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin nga trupat mala­zeze. Më 24 mars, një grup malësorësh, të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, sulmuan karakollët kufitarë osmanë të rrafshit të Traboinit dhe i morën. Të nesërmen kryengritja u zgjerua dhe numri i kryengritësve u shtua në 3000 veta nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, Gjek Marash Gjeloshit, Nikë Gjelosh Lulit etj. Më 25 mars merren postat në Stare, Pikale e Selishtë, ndërsa Kelmendi merr armët e mbledhura në kishë më 1910. Kryengritja u shtri në gjithë Hotin, Grudën e Kelmendin. Lufta e malësorëve të Mbishkodrës tërhoqi vë­mendjen e qarqeve atdhetare. Shumë përfaqësues të tyre u lidhën me kryengritësit apo edhe shkuan pranë malësorëve, si: Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Ismail Qemali, Themistokli Gërmenji etj. Fitoret bënë bujë shumë të madhe kurse Qe­veria osmane këto veprime i quante kaçakllëk.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drej­tuar nga Dedë Gjo Luli, nuk del si diçka e rastësishme, por si një vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta. Dedë Gjo Luli dhe malësorët ishin edukuar me këtë ndjenjë da­shurie për liri në shkollën e traditës.

Sipas studiuesit Ramiz Avdylit Dedë Gjo Luli ishte ndër anëtarët më të shquar të Komitetit të Podgoricës. Pa­varësisht se kryengritja zhvillohej në një krahinë katolike të Shqipërisë kryengritësit dolën me kërkesa të rrafshit kom­bë­tar. Mbreti Nikollë u deklarua se pas përfundimit të krye­ngritjes do të vendosej flamuri malazez. Reagoi Dedë Gjo Luli duke i thënë se e kishin konsi­deruar mik. “Të falë­nderoj­më për mikpritjen por Shqipërinë as nuk e shesim as nuk e falim”. Ngritja e flamurit nga Dedë Gjo Luli dhe luf­tëtarët e tij, u përjetua me emocion të veçantë. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se luftëtarët shqiptarë po luftonin nën flamurin kombëtar.

kryengritjen e 1911 nuk mund të bëhet fjalë pa për­mendur edhe përpjekjet e Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qe­ma­lit në pajisjen e saj me programin politik kombëtar dhe për mbështetjen që ata gjetën te Dedë Gjon Luli dhe krerët e tjerë malësorë. Kur u çlirua maja e Dei­çit, Deda mbajti një fjalim, me ç’rast, ndër të tjera, tha: “Tani o vëllezër, do t’ju takoj të shihni atë që për 450 vjet më radhë nuk e pa kush”. Nxori flamurin shqiptar, e shpalosi e puthi dhe duke u dridhur nga emocioni e ngriti lart me të dyja duart. Të gjithë u afruan ta shikonin nga afër simbolin e tyre dhe të Shqipërisë, flamurin e Gjergj Kastriotit, të ngritur në Deiç më 6 prill 1911. Kjo histori tregon se Dedë Gjo Luli e ngriti flamurin në Malësi, më parë sesa të ngrihej në Vlorë. Qeveria e Stambollit përdori forca të mëdha ushtarake, nën komandën e gjeneral Shefqet Turgut Pashës për ta shty­pur kryengritjen. Edhe Nikë Gjelosh Luli, sipas urdhrit të Dedë Gjo Lu­lit, e ngriti flamurin në maje të Bratilës, në vendin ku përpara valonte flamuri i Perandorisë Osmane. Në prill të vitit 1911 Shefqet Turgut Pasha shpall am­nistinë dhe u jepte 5 ditë afat kryengritësve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe t’i dorëzonin armët, ndryshe kërcënonte se do të merreshin masa të rrepta. Dedë Gjo Luli dhe malë­sorët nuk i dorëzuan armët.

Pas shumë luftimesh lokale, mësymjen në shkallë të gjerë Turgut Pasha e nisi në maj. Megjithatë nuk arriti rezul­tatin e parashikuar. Në fillim bënë efekt mitralozat e rëndë kundër të cilëve malësorët nuk kishin luftuar më parë, por shpejt ua morën anën! Përparimi i ushtrisë osmane qe mjaft i ngadaltë. Më 26 qershor 1911 Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Sokol Baci etj. në Cetinë ia paraqitën kopjet e memora­ndu­mit mbretit Nikollë dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Ky memorandum ishte pasqyrë e qartë për ecjen e lëvizjes në rrugën e duhur të realizimit të kërkesave të tyre, duke u ruaj­tur gjithashtu kurtheve të shteteve fqinje. Edhe argjipeshk­vi i Shkodrës, Imzot Jak Sereqi, kontribuoi shumë në sensi­bilizimin e kryengritjes në opinionin evro­pian.

Memorandumi i Greçës

Për të diskutuar me Dedë Gjo Lulin për kryengritjen, më 12 qershor 1911, nga Italia erdhi në Pod­goricë, Ismail Qemali. Takimi u bë në Gerçë më 23 qershor 1911 dhe marrë­ve­shja u quajt `Memorandumi i Gerçës` (apo `Libri i kuq` për shkak të ngjyrës së kapakëve). Nga ai dolën disa kërkesa bazë drejtuar Perandorisë Osmane dhe Evropës, veça­nërisht Anglisë. Memorandumi u firmos nga 22 kape­danë shqiptarë prej trevave të Hotit, Grudës, dhe Shkrelit, pesë ishin nga Kas­trati, tre ishin nga Kelmendi dhe dy nga Shala.

Memorandumi i Greçës, i paraqitur nga Luigj Gura­kuqi, më 23 qershor 1911, parashtronte një program të plotë të autonomisë të Shqipërisë. Memorandumi përmbante 12 kërkesa dhe që iu paraqit Portës së Lartë dhe Fuqive të Më­dha.

Dedë Gjo Luli

Ndonëse kryengritja u përhap kryesisht në Malësinë e Mbishkodrës, kërkesat e kuvendit të Greçës bëheshin në emër të kombit shqiptar dhe për të gjithë Shqipërinë. Kjo i dha fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat e tjera dhe ndikoi në zgjerimin e lëvizjes çlirimtare. Qeveria osmane ishte kundër autonomisë shqiptare, prandaj nuk e pranoi Memorandumin e Greçës.

Megjithatë, Perandoria Osmane u detyrua të hynte në bisedime me kryengritësit dhe me marrëveshjen e nënshkruar në Pod­goricë në gusht 1911, ajo bënte disa lëshime që ndry­shonin shumë nga kërkesat autonomiste dhe nuk i përfshinte të gjitha trevat e Shqipërisë, por vetëm Malësinë e Mbishko­drës. Në fakt, shpërthimi i parakohshëm i kryengritjes i gjeti të papërgatitura krahinat e tjera dhe i çrregulloi planet për kryengritje të përgjithshme.

Dedë Gjo Luli pati me përfaqësuesin diplomatik të Perandorisë Osmane në Cetinë, ku Sadredin beu u përpoq t’i bindte malësorët të hiq­nin dorë nga programi kombëtar dhe të kënaqeshin me plotësimin e kërkesave të karakterit lokal. Pyetjes provokue­se të ministrit osman “në se pikat e Përkujtesës së Greçës i kërkonin vetëm për vete apo edhe për të tjerët”, Dedë Gjo Luli iu përgjigj në mënyrë të qartë dhe kategorike se “çka ishte parashtruar në “Librin e Kuq”, i donin jo vetëm për vete, por për ‘tanë Shqypninë’”. Këtë takim na e dëshmon dom Luigj Bumçi, i pra­ni­shëm si përkthyes. Dom Luigji ishte nipi i Pashko Vasë Shko­­­dranit.

Memorandumi i Greçës, midis të tjerash, kishte dhe një pikë ku kërkohej bashkimi e katër vilajeteve në një dhe kri­jimi i një Shqipërie Autonome (pra jo të pavarur). Ky me­mo­randum është dokumenti më i rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nën­tor të vitit 1912. Gjithë këtyre veprimeve politike u priu Dedë Gjo Luli, me guximin, ndershmërinë dhe larg­pamësinë që e karakterizonte. Ndonëse kryengritja nuk u mbështet nga viset e tjera, u shprehën në mënyrë të plotë dhe të qartë interesat politike të të gjithë kombit. Ky program, për meritë, në radhë të parë, të udhëheqësit kryesor të saj, Dedë Gjon Luli, i cili i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, që në një formë i hapën rrugën sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë.

Vrasja e Dedë Gjo Lulit dhe rivarrimi

Në fillim të shtatorit 1915, Dedë Gjo Lulin e ftojnë në një mbledhje të krerëve në Orosh. Ishte fundi i shtatorit kur ai me të birin dhe me disa shokë arrijnë në Orosh. Befa­sisht, aty u arrestua nga ushtria serbe. Edhe pse e paralajmë­roi No­ra, reja e tij, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Para pushkatimit të Dedës, nga ai e ndajnë të birin, të cilin serbët ua dorëzojnë esadistëve. Ata e lidhën me pranga në Malin e Shenjtë të Oroshit të Mir­ditës dhe e masakruan me bajoneta së bashku me disa mir­ditorë. Të vrarët i hodhën në shpellën që njihet me emrin Shpella e Akullit.

Serbët, në bashkëpunim me veglat e tyre forcat esa­diste, më 1915 mundën të kapin në pabesi Dedën bashkë me të birin e shoqërues të tjerë në Orosh të Mirditës.

Atë dhe grupin e tij e pushkatuan në Sheshez të Mir­ditës më 24 shtator 1915.

Kur u doli përpara kapiteni serb, Gjura, ai nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mir­ditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5. Preng Gjok Skana, 6. Bib Mar­lula dhe 7. Llesh Deda) nuk e lëshoi veten dhe dha jetën në Sheshëz t’ Oroshit në Mal të Shejtë, e atje në grykë të shpe­llës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë.

Dedë Gjo Luli është dekoruar si Hero i Popullit dhe është i 24-ti në listën e përbërë nga 159 heronj të popullit, dhënë nga Kuvendi Popullor.

Emri i tij është i lidhur aq ngushtë me Kryengritjen e vitit 1911 dhe është vështirë të flasësh për këtë kryengritje pa pasur parasysh udhëheqësin e saj. Po ashtu, njësoj është e vë­shtirë të flasësh për personin e tij, pa iu referuar kësaj krye­ngritjeje të madhe, të cilën ai së bashku me Mehmet Shpe­ndin me shokë e udhëhoqi.

Trupi i Dedë Gjo Lulit, i mbuluar me gjethe, u varros fshehurazi pas dy javësh, më 8 tetor 1915.

Me iniciativën e etërve françeskanë të Shkodrës, esh­trat e Dedë Gjo Lulit dhe të birit të tij, të bartura nga Oroshi, iu dorëzuan këtyre atdhetarëve. Më 29. V. 1923 më se tre mijë veta u bashkuan te kisha françeskane për t’i bërë nde­rime këtij atdhetari të shquar. Mbi jetën e tij foli Atë Anton Harapi. Qytetarët e prisnin në oborr arkivolin e mbuluar me flamur.

Me këtë rast, në emër të deputetëve shkodranë, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi dërguan këtë telegram: “Bashko­hemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo Lulit, tue krye detyrën e mirënjohësisë ndaj fato­sit të pa vdekshëm, që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë të atdheut mbi shkrepat e përgjakun të Malësisë së Ma­dhe.”

Te Hani i Hotit, buzë rrugës, qëndron një lapidar në kujtim të kryengritjes së vitit 1911. Këtë lapidar populli e quajnë “Lapidari i Dedë Gjo Lulit”. E në të vërtetë krye­n­gri­tja e vitit 1911 është e pandarë nga emri i Dedës, udhëheqësit të saj. Ky lapidar është një dëshmi e heshtur që flet për një epokë të tërë, për pavdekësinë e veprës së malësorëve dhe të prijësit të tyre, Dedë Gjo Lulit.