Ballina Opinion Ëndrra 32-përqindëshe për një parti të re…

Ëndrra 32-përqindëshe për një parti të re…

81
0

Nga Eduard Zaloshnja

Nga sondazhi im i fundit që zhvillova për emisionin ‘Zëri i Shqiptarëve’, rezultoi se plot 32% e atyre që votuan brenda vendit për partitë ekzistuese janë sot të zhgënyer nga ato. Dhe këta të zhgënjyer të 11 majit janë gati të votojnë për një parti të re, në qoftë se krijohet. Por…

Le ta shtjellojmë me hollësi këtë ‘por’.

Në 32-përqindëshin e zhgënjyer, një 9-përqindësh përbëhet nga socialistë të zhgënjyer, një 12-përqindësh përbëhet nga “madhështorë” të zhgënjyer, dhe 11-përqindëshi tjetër përbëhet nga votues të zhgënjyer prej partive të vogla ekzistuese.

Historia elektorale ka treguar se të zhgënjyerit socialistë në dimër, rikthehen zakonisht te kutitë e votimit në behar (për partinë e tyre). Pjesërisht, edhe të zhgënjyerit “madhështorë” rikthhen tek vatha e tyre. Ndërsa të zhgënjyerit e partive të vogla, në zgjedhjet e rradhës ose nuk votojnë fare, ose peshkojnë ndonjë parti fringo të re…

Në historinë 35-vjeçare të pluralizmit, vetëm LSI-ja (si parti mes dy të mëdhave) ka arritur të bëhet përcaktuese në balancat e pushtetit. Më 2005, ajo ishte përcaktuese për marrjen e pushtetit nga PD-ja (pa u bërë pjesë e pushtetit); më 2009 ishte përcaktuese për rimarrjen e pushtetit nga PD-ja (duke u bërë pjesë e pushtetit); më 2013 ishte përcaktuese për marrjen e pushtetit nga PS-ja (duke u bërë pjesë e pushtetit); dhe më pas, erdhi dalngadalë duke u shuar…

Në 20 vitet e përvojës time si sondazhist në Shqipëri, ndër partitë e krijuara si sfidë ndaj dy partive të mëdha, Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut ka kapur kuotën më të lartë në sondazhe (14%, në janar 2013). Po ajo ishte thjesht një fenomen mediatik, pa organizim kapilar në terren (siç e kishte LSI-ja në atë kohë). Dhe kur saracineska mediatike iu mbyll në muajin para zgjedhjeve, Aleanca Kuqezi përfundoi me vetëm 1%…

Këto partitë e reja që u futën së fundmi në Kuvend përbëjnë një risi, krahasuar me shumë parardhëse të tyre. Por në sondazhin e fundit më rezultuan pothuaj statistikisht të shuara. Gjë që tregon se ato ishin thjesht një realitet mediatik, por jo elektoral në terren.

Që 32-përqindëshin e zhgënjyer laraman të mësipërm ta joshë drejt kutive të votimit një parti fringo e re, duhet që një grup i mirëorganizuar (jo thjesht një individ) të bëjë që sot fushatë, si në media edhe në terren. Sepse duhet t’u mbushin mendjen atyre që deri dje kanë votuar për partitë e mëdha, se kjo partia e re do të jetë vërtet në gjendje të sfidojë partitë e vjetra me vizion, program, dhe me organism në terren.

Nga e thëna në të bërë, ndan një det i tërë – na mëson urtësia popullore…