Ballina Aktualitet Trinomi i grave që po sfidon SPAK-un – Emiriana Sako lidh kontratën...

Trinomi i grave që po sfidon SPAK-un – Emiriana Sako lidh kontratën e radhës me “Rajlin” e Enkeledës dhe Ledianës për rindërtimin!

228
0

Rindërtimi i dëmeve të tërmetit është kthyer në një sagë të vërtetë, për të mos thënë aferë e rëndë kriminale, ku disa drejtues institucionesh po veprojnë hapur, duke i dhënë firmave të preferuar miliona euro, pa iu dridhur aspak qerpiku apo të kenë frikë Prokurorinë e Posaçme.

Rasti më flagrant vjen nga Durrësi, ku kryetarja e kësaj bashkie, Emiriana Sako, s’do që t’ia dijë për askënd, as për raportet e KLSH-së, për kallëzimet në SPAK, apo institucionet ligjzbatuese lokale, teksa vazhdon t’i lidhë kontrata me shumë zero firmës “Rajli”.

Në fakt, në këtë aferë, janë të përfshira jo 1 por plot 3 gra, të cilat kanë krijuar një trinom të frikshëm për të zhvatur pasurinë publike, kjo me justifikimin e rindërtimit pas një fatkeqësie tepër vrastare, por që deri më tani ka rezultuar fitimprurëse për të gjithë aktorët e përfshirë. Vox News ka raportuar në vijimësi për një “dashuri” mes Sakos dhe firmës “Rajli”, kompani e cila ka si pronare dy gra të tjera, Enkeleda Gojashin dhe Lediana Matën.

Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe edhe në tenderin apo procedurën e radhës, që është finalizuar në fund të muajit mars 2026, teksa ka dyshime se kriteret e vendosura nga Sako i përshtaten plotësisht Enkeledës dhe Ledianës. Vetë kryetarja ka vënë firmën mbi dokument, duke lidhur kontratën, pavarësisht se oferta e firmës “Rajli” nuk ka qenë me e ulta në këtë procedurë.

Një tjetër dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme apo për Byronë Kombëtare të Hetimit, pasi mjaftojnë që të gjurmojnë milionat për të gjetur se kush i përfiton.

Trinomi i grave që po sfidon SPAK-un - Emiriana Sako lidh kontratën e

Vox News ka hulumtuar dokumente të reja të dala nga Bashkia e Durrësit, të cilat kanë si objekt “rikonstruksion i objekteve të njësive administrative numër 1 dhe numër 4, në Sukth dhe Rrashbull”. Fondi limit i kësaj procedure ka qenë 37.681.160 lekë pa TVSH, teksa afati për ekzekutimin e kontratës është 140 ditë.

Kontrata është lidhur në datë 2 mars 2026, ndërkohë që publikimi është bërë në fund të muajit të kaluar. Emri, siç e përshkruam më sipër, është tepër i njohur për Sakon apo vartësit e saj, “Rajli”, kompani e cila mjafton t’a ketë emrin në dokumente dhe të gjithë vihen “në radhë” për t’i dhënë vlerat e akorduara.

Dyshimet e institucioneve kontrolluese apo edhe atyre ligjzbatuese janë të mëdha, pasi mjafton që të shikohet linja “e partisë” mes këtij trinomi për të kuptuar se tenderat që fiton kjo kompani janë të paracaktuar. Më pas, duhen parë kriteret e vendosura nga Bashkia e Durrësit, të cilat “qepen” me porosi të Enkeledës dhe Ledianës.

Vox News ka denoncuar edhe në të kaluarën “dashurinë” e Sakos me firmën “Rajli”, të cilës i ka dhënë miliona euro për rindërtimin. Favorizimet e Sakos në drejtim të kësaj firme janë denoncuar publikisht edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Bashkia e Durrësit i ka dhënë një tjetër tender kësaj firme, madje me vlerë 99 % të fondit limit. Kjo firmë ka qenë e vetme në garë, duke lënë vetëm disa qindarka nga i gjithë fondi. Ka dyshime se kjo kompani është në ‘pronësi’ të vetë Sakos, duke nisur nga lehtësia me të cilët i fton procedurat në këtë bashki dhe se si kryetarja firmos milionat e eurove” do të denonconte redaksia jonë në fund të vitit 2024.

Në atë kohë, kjo kompani u shpall fituese nga Bashkia e Durrësit për tenderin me objekt “riaftësim strukturor i pallatit nr.1047 (ARVI), Rruga Taulantia” me fond limit 74 milionë lekë. “Në tender ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘Rajli Ndërtim’ dhe ‘Sireta 2F’ me një vlerë 73.984.248” thuhet në këto dokumente, teksa ka lënë “rrugës” vetëm 95.519 lekë, as 1 mijë euro!

Vox News ka mësuar se procedurat e tenderëve të rindërtimit nga Bashkia e Durrësit kanë kaluar edhe në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka dalë me një konkluzion se kryetarja Emirajana Sako “prokuroi dhjetëra miliona euro në shkelje të ligjit tek një grusht kompanish gjysmë fiktive”.

Në datën 3 shkurt të vitit 2022, Bashkia e Durrësit zhvilloi një tender me vlerë 2.1 milionë euro për lulishtet e disa pallateve në Rrashbull. Fitues u shpallën “Rajli Ndërtim” dhe “G.P.G Company”, teksa KLSH shkruan se dhënia e kontratës ishte në shkelje të ligjit, për shkak se “Rajli Ndërtim“ nuk plotësonte kriteret dhe kompanitë nuk kishin përcaktuar përqindjet në marrëveshjen e bashkëpunimit.

Mësohet se “Rajli Ndërtim” nga viti 2019 deri në ditët e sotmeka marrë dhjetëra miliona nga Bashkia e Durrësit, ndërkohë që të gjitha procedurat kanë qenë “të mbyllura”. Bashkia u justifikua me gjendjen e tërmetit, por këto kompani vijuan të marrin para’, teksa në total morën mbi 25 milionë euro.

Vox News ka shfletuar dokumente të tjera, tenderët e shpallur apo edhe bilance në QKB, ku rezulton se megjithëse firma përfitoi pjesën e “luanit” në tenderat e Bashkisë së Durrësit, sërish bilancet janë të vogla. Në qershor të vitit 2025, dy aksionerët e firmës, Gojashi dhe Mata, dorëzuan bilancin e vitit 2024, ku në atë vit ato deklaruan një fitim prej 32,921,323 lekë, fitim i cili kaloi për divident, pra u nda.

Dyshimet e tjera janë se paratë e rindërtimit shpërndahen në disa kompani të tjera, satelite, me lidhje të afërta me disa eksponentë të mazhorancës apo edhe të vetë kryetares së Bashkisë së Durrësit. Janë fryrë kostot e punimeve, apo të materialeve, vetëm e vetëm që të “kënaqen” të gjithë.

Ndërkohë, në vitin 2024 e njëjta kompani ka publikuar bilancin e ’23-shit, ku rezulton se në atë vit ajo deklaroi një fitim prej 30 milionë lekësh, i cili kaloi për investime. Pra, në harkun kohor të 24 muajve, kjo kompani që ka xhiruar në ato vite dhjetëra miliona euro, deklaroi fitime minimale. Dyshimet e sipërpërmendura janë në fakt një dosje për SPAK-un, për pabarazi në tendera, pastrim parash apo edhe organizatë kriminale./ Voxnews.al