Ballina Ekonomia 46.5 mln euro për mirëmbajtjen e rrugëve/ ARRSH hap tenderin për 4...

46.5 mln euro për mirëmbajtjen e rrugëve/ ARRSH hap tenderin për 4 vitet e ardhshme, 1,300 km akse

96
0

Me një fond limit prej 4.47 mld lekësh apo 46.5 mln euro, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore rrugore në vend, për 4 vitet e ardhshme. Në total parashikohet mirëmbajtja e mbi 1,300 kilometrave rrugë, të ndara në 4 kontrata sipas rajoneve.

Kontrata A, që mbulon rajonin verior, përfshin 242.2 km rrugë, duke përfshirë segmente si Milot–Lezhë, Shkodër–Hani i Hotit, Vau i Dejës–Pukë dhe lidhjet drejt Kukësit e Shëngjinit, ndërsa fondi limit është rreth 815 mln lekë.

Ndërkohë që, kontrata B përfshin 294.1 kilometra akse rrugore në rajonin qendror dhe verilindor dhe ka një fond limit prej gati 1.1 mld lekë. Ndër segmentet kryesore janë lidhjet Tiranë–Rinas–Durrës, Thumanë–Milot, si dhe rrugët drejt Bulqizës dhe Peshkopisë.

Kontrata C mbulon pjesën lindore dhe juglindore, përfshin rreth 403 km rrugë, duke përfshirë akse si Elbasan–Qafë Thanë, Korçë–Kapshticë, Librazhd–Qukës dhe Lushnjë–Berat dhe ka një fond limit prej 1.37 mld lekë, ndërsa kontrata D, për rajonin jugor, përfshin rreth 374.1 kilometra rrugë, me segmente si Tepelenë–Gjirokastër, Orikum–Himarë–Borsh, Levan–Vlorë dhe lidhjet drejt Konispolit. Fondi limit për këtë kontratë është gati 1.2 mld lekë.

Modeli i mirëmbajtjes “me performancë” nënkupton që kompanitë do të jenë përgjegjëse për garantimin e standardeve të rrugëve gjatë gjithë periudhës së kontratës, duke përfshirë ndërhyrje të vazhdueshme si riparime, pastrim, sinjalistikë dhe, në disa segmente, edhe mirëmbajtje dimërore.