Ballina Opinion Cikli: Punët për Shqipërinë! Fondi Sovran edhe tersi i numrit 5-së

Cikli: Punët për Shqipërinë! Fondi Sovran edhe tersi i numrit 5-së

114
0

Nga Irena Beqiraj 

“Nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat shkojnë direkt në buxhet të shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga Fondi Sovran” … shpjegonte Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2023. Atëherë, kur zemra na u bë mal nga lajmet e pasurisë së zbuluar në Shpirag!

Megjithëse fakti që Shpiragu kishte naftë ishte i njohur prej pesë brezash në këto njëqind vitet e fundit, sikurse dihej që edhe nxjerrja e saj në sipërfaqe kushtonte shumë. Italianët në vitet ’30 të shekullit të kaluar e mandej rusët në vitet ’50, kinezët në vitet ‘60, shqiptarët më tëhu në vitet ’70-’80 hoqën dorë.

Por kësaj here, pikërisht herën e pestë, ishte ndryshe. Entuziazmi ishte ngjitës. Gazetarët ekonomikë me pagesë pranë qeverisë na bindën se tani ishim më afër se kurrë ëndrrës për t’u pasuruar.

“Qielli është limiti,” na tha Kryeministri, “dhe sipas llogarive edhe hesapeve të qeverisë, në qiell sapo ishte hapur një vend për Shqipërinë!”

Meqë ishte hera e 5-të që zbulohej naftë në Shpirag, llogaritë u bënë shpejt. Pësës i shtuan ca zero, edhe ja 500 milionë të ardhura në vit, 5.000 puntorë do të ushqenin fëmijët etj., etj.

Sepse kësaj rradhe nuk ishte si herët e tjera. Si çdo gjë e mirë që ka ndodhur për herë të parë, vetëm nën drejtimin e Ramës, ai dora vet nga konferenca për shtyp na tha se:

“Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë, është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë. Burimet e naftës që janë zbuluar më parë janë burime të një nafte të rëndë që përdoret për bitum apo solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve. Nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite”.

Nga Shpiragu nuk doli asnjë pikë naftë e asnjë lloji, as e rëndë e as premium. Doli fjala e ca inxhinierëve të vjetër të kohës së Enverit. Shtriganë, pelq të grindur, edhe pse të ditur, guxuan të na trembnin gëzimin që injektonte çdo ditë zv/kryeministrja me zërin e saj të kadifenjtë.

Nuk krijuam dot as fondin sovran. Disa gojë të liga mund të thonë: “Eh, si gjithmonë peshku në det e tigani në zjarr,” por gjithçka mund realizohej po të mos ishte për numrin pesë.

E kuptoj që 1, 2, 3, 4 nuk janë shumë numra optimistë, por nuk e pranoj dot ngurimin e kësaj “qeverie arritjesh” për të përdorur gjashtën, shtatën, apo tetën. Nëntën mirë bëri që nuk e përdori se do të dukej paksa e ekzagjeruar.

Ndaj një lutje kam për ministrat e qeverisë: tjetër herë, kur të sajoni parashikimet për “Punët për Shqipërinë,” shmangni me çdo kusht përsëritjen e numrit pesë. Dilni një orë e më pa nga modaliteti i mbetësit në klasë, që kënaqet vetëm me një pesë. Përdorni numrat e tjerë e zero shtoni sa të doni.

Ëndrra e fondit iku me gjithë shpresat për t’u pasuruar.

Na mbeti Sovrani me lugën bosh!