Ballina Aktualitet Ja kush janë 5 kompanitë ombrellë të KAYO-s së Ardi Veliut, Belinda...

Ja kush janë 5 kompanitë ombrellë të KAYO-s së Ardi Veliut, Belinda Ballukut dhe Edi Ramës, si i grabitën ditën për diell paratë shqiptarëve pa tender dhe prokurime

110
0

Krijimi i shoqërisë shtetërore KAYO, nën drejtimin e Ardi Veliut, duket si një përpjekje për të modernizuar Forcat e Armatosura. Por dokumentet tregojnë një tablo shumë më të ndërlikuar. Një rrjet kompanish të krijuara për të thithur miliona euro nga buxheti i ushtrisë.

Kjo shoqëri është ngritur dhe për sa kohë ka nisur të funksionojë, ka për qëllim shmangien e konkurrencës, garave dhe fondet për ushtrinë të kanalizohen tek kjo kompani, ku Ardi Veliu nën komandën e Edi Ramës, do t’i kanalizojë më pas te kompanitë private me të cilat kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi. I gjithë operacioni, nisi në shtator të vitit 2024 me themelimin e Shoqërisë KAYO, edhe pse sipas dokumenteve, rezulton se në këtë periudhë është konkretizuar veç kopsitja e dokumenteve, pasi gjithçka ka qenë mirëmenduar që kohë më parë. Kjo shoqëri është themeluar menjëherë pas miratimit të ligjit 88/2024. Në nenin 10, të këtij ligji krijohet edhe shtegu i kalimit të fondeve tek privatët. Sipas këtij Neni, KAYO ka të drejtë të krijojë edhe shoqëri të tjera në bashkëpunim me subjekte të tjera private. 8 muaj pas miratimit të tij, në qershor të vitit 2025 Këshilli i Ministrave miraton VKM 322, për ti hapur rrugë krijimit të kompanive të reja.

5 kompanitë ombrellë

Shoqëria TIMAK DEFENCE u themelua më 4 gusht 2025, vetëm 20 ditë pas hyrjes në fuqi të VKM-së përkatëse. Në aspektin e pronësisë, 80% e aksioneve zotërohen nga kompania private TIMAK sh.p.k. Një element që ngre pikëpyetje është fakti se vetëm një muaj para marrëveshjes me shtetin, 49% e aksioneve të TIMAK-ut iu shitën shtetasit izraelit Ron Yeffet me pasaportë shqiptare, i njohur me lidhje të forta me kryeministrin Edi Rama për vetëm 490 euro. Pwr kwtw kompani të dyshimtë ka patur reagime dhe nga opozita.  “KAYO më shumë se një shoqëri që do na zgjidhë punë, duket një shoqëri që është e përfshirë në afëra korruptive.

Unë po ju tregoj dy tendera që keni bërë për KAYO, njëra 4 milionë euro e bërë në datën 3.11.2025 dhe tjetra 28.10.2025 për 6 milionë euro. Shoqëria që ka marrë këtë është “Timak Defence”. Kjo kompani është e pompuar nga qeveria që bashkë me KAYO kanë krijuar këtë shoqëri që ju u jepni tenderin sipas VKM që ka dhënë Belinda Balluku. Kompania Timak është një kompani që shet aksionet për 450 euro. Unë nuk e di nëse ka sens që të shesësh aksione të një kompanie me xhiro miliona euro dhe merr tendera miliona euro?! Kjo kompani do merret me prodhimin e armëve. Kjo kompani që bën këto kontrata fiktive. Kjo është për tu hetuar, jo  për ti dhënë tendera miliona euro. Siguria e vendit nuk zgjidhet me afera korruptive.”

M.K.D (Myslym Keta Defence)

E krijuar gjithashtu në gusht 2025, kompania M.K.D ka një kapital themeltar prej 35,000 eurosh. Ndryshe nga një biznes i zakonshëm, asetet kryesore të saj nuk janë investime private, por infrastruktura shtetërore, konkretisht uzinat, të vëna në dispozicion nga KAYO. Në këtë rast, 80% e aksioneve zotërohen nga MSSC GROUP. Kompania ka marrë të drejtën për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm. Ajo favorizohet nga kuadri ligjor, i cili i jep KAYO-s mundësinë të lidhë kontrata të drejtpërdrejta për “interes strategjik”, duke shmangur garën dhe duke e kthyer një aset shtetëror në burim fitimi për privatin.

Guna Tactical

Guna Tactical është një tjetër kompani e krijuar me kapital minimal prej 35,000 eurosh, e cila operon në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” në Tiranë. Në këtë rast, struktura e pronësisë është e ndarë ndryshe: 51% i përket shtetit përmes KAYO-s, ndërsa 49% partnerit privat MSSC. Kompania ka marrë ekskluzivitetin për prodhimin e uniformave dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit. Ky zhvillim praktikisht zhvendos të gjithë buxhetin për veshjet ushtarake nga procedurat e hapura të tenderimit drejt kësaj ndërmarrjeje të përbashkët.

Elbit Systems (Partneriteti Strategjik)

Një nga marrëveshjet më të mëdha dhe më të debatueshme është ajo me kompaninë Elbit Systems. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një kontratë me vlerë qindra milionë euro, që në disa raste përmendet se mund të arrijë deri në 1 miliard euro. Financimi i këtij projekti po shqyrtohet të realizohet përmes një skeme “Sovereign Guarantee”, ku shteti shqiptar garanton kredinë që do të merret për realizimin e kontratës. Problematike mbetet mënyra e negocimit të kësaj marrëveshjeje, e cila thuhet se është ndërmjetësuar nga Ron Yeffet, një person i afërt me kryeministrin. Mungesa e transparencës, së bashku me raportimet për hetime ndaj kompanisë nga struktura ndërkombëtare si NATO, e kthejnë këtë partneritet në një nga pikat më të ndjeshme për sigurinë dhe financat publike.

Fincantieri (Memorandumi Detar)

Në sektorin detar, bashkëpunimi me kompaninë Fincantieri aktualisht është formalizuar përmes një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), që lidhet me projekte në bazën detare të Pashalimanit. Në këtë rast, shteti shqiptar ka vënë në dispozicion infrastrukturën ekzistuese si kontribut në partneritet. Megjithatë, rreziku kryesor lidhet me fazat e mëvonshme të këtij bashkëpunimi, ku ekziston mundësia që kontratat për ndërtim dhe mirëmbajtje anijesh të jepen pa garë të hapur, duke u justifikuar me statusin e “partneritetit strategjik”./sot