Ballina Aktualitet Polici i Burgut të Peqinit e kallëzoi për shpifje, GJKKO merr vendimin...

Polici i Burgut të Peqinit e kallëzoi për shpifje, GJKKO merr vendimin për deputetin Flamur Noka!

135
0

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka marrë vendimin për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, deputetin Flamur Noka, i kallëzuar penalisht për shpifje nga efektivi i Burgut të Peqinit, Gjergji Vishkulli, tetorin e vitit të kaluar.

Pasi trupa gjykuese dëgjoi palët dhe shqyrtoi materialet hetimore, vendosi sot (8 prill) që të shpallte të pafajshëm deputetin e opozitës.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Rudina palloj, e cila ka rrëzuar pretendimet e denoncuesit.

Vendimi i GJKKO-së:

“1. I dëmtuari akuzues Gjergji Vishkulli me datë 21.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me të akuzuar deputetin, shtetasin Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike në Republikën e Shqipërisë dhe objekt:

“1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht. 2. Detyrimin e të paditurit të akuzuar të përgënjeshtrojë denoncimin publik të publikuar në adresën e facebook-ut të të akuzuarit të paditur Flamur Noka me shpenzimet e tij nëpër të gjitha mediat kombëtare, duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 59, 379, 384 dhe 388/1 të K.Pr.Penale, si dhe nenin 120 të Kodit Penal, me vendimin nr. 30, datë 08.04.2026 vendosi:
Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Flamur Noka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, pg.2 i K.Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.