Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, deputeti i opozitës, Klevis Balliu, tha se kryeministri Rama ka ekskluzivitetin ligjor për të firmosur lejet për ndërtimin e kullave dhe personalisht ka miratuar leje për 107 kulla në kryeqytet.
Ai theksoi se vetëm 22% e financimit total për këto ndërtime mbulohet nga kreditë bankare, duke ngritur pyetje serioze për burimin e qindra milionë eurove të tjera.
Duke cituar të dhëna nga Banka e Shqipërisë, deputeti deklaroi se në vitin 2024 kreditë për ndërtim kapën vlerën e 380 milionë eurove, ndërsa totali i investimeve ishte shumë herë më i lartë.
“Kur kjo shifër krahasohet me totalin e investimeve në ndërtim, rezulton se financimi bankar në këtë sektor përbën vetëm rreth 22%. Me çfarë i kanë ndërtuar?” pyeti ai në mënyrë retorike nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, përfshirë atë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas tij, raporti i DASH thekson se “grupet kriminale dhe kartelet e drogës në Shqipëri janë forcuar pikërisht sepse kanë arritur të sofistikojnë pastrimin e parave pikërisht në sektorin e ndërtimit, aty ku jep lejet Edi Rama.”
Ai shtoi se paratë e prodhuara nga trafiku i kokainës pastrohen në Shqipëri dhe më pas investohen në asete në Evropë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Deklarata e plotë:
“Ju thoni s’ka akt qeveritar. Po s’ka akt qeveritar, se ai e firmos vetë. Keni bërë ligj ju zotëri, se s’e kam bërë unë ligjin, e keni bërë vetë ju që kullat do t’i japë, është ekskluzivitet i kryeministrit tuaj.
I firmos ai kullat, nuk i firmos unë. Si s’paska akt qeveritar? 107 kulla ka dhënë leje ky zotëria, 22% e financimit të këtyre kullave janë bërë me, me bankë.
Pjesa tjetër janë bërë me skemë, nuk e di. Si qenka ajo, si s’paska vendim qeverie këtu? Si s’paska akt qeveritar? Kur është firma e kryeministrit. Ka qenë vetë, po shkojmë të jemi më konkretë.
Ka qenë vetë prokurorja Musa Beliu, e cila ka deklaruar në 2025-ën, prokurorja e SPAK-ut, se ndërtimi është kanali kryesor i pastrimit të parave.
Edhe INSTAT-i juaj tregon, në vitin 2024, janë dhënë leje ndërtimi për 1. milion, 1.9 milionë metra katrorë, në 2025-ën janë dhënë për 1.3 milionë metra katrorë të tjera, pavarësisht se në Shqipëri, dhe përkatësisht, në fakt, në Tiranë, janë 90.000 banesa bosh.
Por lejet e ndërtimit vazhdojnë. Banka e Shqipërisë, që unë mendoj është zyrtare, ju nuk e di, ka deklaruar se në vitin 2024, kreditë për ndërtimin kanë qenë rreth 380 milionë euro, ndërsa kreditë e reja për banesa kanë qenë 467 milionë euro.
Në total 847 milionë euro. Por kur kjo shifër krahasohet me totalin e investimeve në ndërtim, rezulton se financimi bankar në këtë sektor përbën vetëm rreth 22%.
Me çfarë i ka ndërtuar mo zotëri? Këto kulla lejet e të cilave i ka dhënë kryeministri juaj, prandaj e kërkoj atë unë. Po kë të kërkoj? Shefin e gardës? Kush i jep lejet mo zotëri për kullat? Na e thoni ta dimë. Se ne e dimë që sipas ligjit i jep Edi Rama.
Tani këto raportet që ju i quani s’janë zyrtare dhe janë qesharake, dakord. Unë mendoj që janë serioze. Raporti i strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të narkotikëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Departamentit të Shtetit, thekson se grupet kriminale dhe kartelet e drogës në Shqipëri janë forcuar pikërisht sepse kanë arritur të sofistikojnë, të sofistikojnë pastrimin e parave pikërisht në sektorin e ndërtimit, aty ku jep lejet Edi Rama.
Ku firmos lejet Edi Rama, kullat e Edi Ramës. Këto nuk janë raporte të opozitës. Unë i quaj këto raporte serioze. Departamentin e Shtetit Amerikan e quaj më serioz se ajo agjencia e krimit financiar që keni ju që duhet supozohet t’i hetojë dhe s’heton asgjë.
Po përkundrazi i justifikon këto para. Kanë qenë pikërisht këto raporte edhe nga Bashkimi Europian, kanë qenë këto raporte edhe nga Mbretëria e Bashkuar, në lidhje me faktin se rrjetet kriminale shqiptare kanë akses të drejtpërdrejtë në prodhimin e kokainës në Amerikën e Jugut dhe në rrjetet e trafikut që e sjellin atë në Europë, edhe në Mbretërinë e Bashkuar, dhe të gjitha këto para pastrohen në Shqipëri dhe pastaj këto para pasi janë pastruar, blihen asete të tjera edhe në Europë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Po këto nuk janë hipoteza të opozitës.
Unë kërkoj interpelancë dhe vij me idenë që kryeministri ka dhe një përgjigje për këto çështje. Po tani kuptoj siç kuptoj unë, ne në fakt e kemi ditur, po ata që na ndjekin, nuk vjen në interpelancë se s’ka ç’i thotë këtyre. Se këto janë kështu siç thotë Departamenti i Shtetit, siç thotë Bashkimi Europian, siç thonë shifrat. Se nuk janë ashtu siç duan ta shesin këta që jemi mirë. Se keni filluar këtë turin e takimeve me sloganin jemi mirë. Shqiptarët po ikin, po jemi mirë.
Çmimi i apartamentit 5000 euro metri katror, po jemi mirë. Rrogat më të ulëta në rajon, po jemi mirë. Bujqësia ka vdekur, po jemi mirë. Slogani jemi mirë. Jeni mirë ju mor zotëri, po shqiptarët s’janë mirë. Mund të blini shtëpi ju, po shqiptarët nuk blejnë dot shtëpi 5000 euro metri katror me 500.000 lekë rrogë.
Cili nga ju do vijë këtu t’i shpjegojë një studenti që nesër mund të vijë të fillojë punë pikërisht në Kuvend, ku janë rrogat ndër më të larta dhe t’ia shpjegoni pak se si mund të blejë një apartament në Bllok, apo një apartament në Ali Dem, ku ka shkuar 2500 euro metri katror.
Me një rrogë nga 700.000 lekë që i japin në Kuvend. Për specialistët. Shpjegojani pak këtyre të rinjve, studentëve, si do ta blejnë këtë apartament këta? Me këto shifra që i keni bërë ju. Se këto janë shifra të bëra nga ju, nga një sistem i ngritur nga ju.







