Ballina Europë Skenë tronditëse në Britani: mbi 250 qen të grumbulluar në kushte të...

Skenë tronditëse në Britani: mbi 250 qen të grumbulluar në kushte të mjerueshme një shtëpi

88
0

Më shumë se 250 qen janë gjetur në një pronë në Mbretërinë e Bashkuar në kushte aq tronditëse sa organizata për mbrojtjen e kafshëve RSPCA u detyrua të mohojë akuzat se fotot e publikuara ishin krijuar nga inteligjenca artificiale.

Organizata bëri të ditur se mori në kujdes 87 qen, ndërsa pjesa tjetër iu transferua organizatës tjetër të shpëtimit Dogs Trust. Prona ndodhet në një vend të paidentifikuar në Britani.

Pasi RSPCA publikoi në internet fotografi ku dhjetëra qen shiheshin të grumbulluar në një hapësirë të vetme të dhomës së ndenjjes, disa përdorues në rrjetet sociale pretenduan se imazhet ishin krijuar me AI. Por organizata këmbënguli se ato janë autentike.

Sipas RSPCA-së, që nga viti 2021 është shënuar një rritje prej 70% e rasteve me shumë kafshë, pra situata ku në një adresë gjenden 10 ose më shumë kafshë.

Pronarët e pronës u thanë inspektorëve se kishin humbur kontrollin mbi shumimin e qenve, kryesisht përzierje pudelësh, dhe situata “doli shpejt jashtë kontrollit”.

Jo Hirst, superintendente e RSPCA-së, tha:
“Ky imazh tronditës është realiteti i shumë rasteve me shumë kafshë që oficerët tanë përballen gjithnjë e më shpesh. Raportimet për raste me 10, 20 madje edhe 100 kafshë janë në rritje.

Ne e kuptojmë që njerëzit habiten aq shumë sa nuk besojnë atë që shohin. Por kjo foto nuk është AI, është reale. Kjo është ajo që mund të ndodhë kur edhe pronarë me qëllime të mira mbingarkohen dhe shumimi i pakontrolluar del jashtë kontrollit.”

Organizata tha se pronarët konsideroheshin “jashtëzakonisht vulnerabël”, ndaj u vendos të mos ndiqeshin penalisht. Sipas ekspertëve, raste të tilla shpesh lidhen me probleme të shëndetit mendor, krizën e kostos së jetesës ose praktika të dobëta të shumimit.

Mes qenve të shpëtuar janë Stevie dhe Sandy, të cilët po kërkojnë një familje të re. Stevie, një cocker spaniel, është i verbër dhe i shurdhër.

Vetëm vitin e kaluar, RSPCA reagoi në 4,200 incidente në Angli dhe Uells ku në të njëjtën adresë u gjetën të paktën 10 kafshë.