Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se janë në dijeni që ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve të fruta-perimeve, por theksoi se kjo rritje nuk është në të gjitha produktet e shportës.
Sipas saj inflacioni i muajit mars ishte 2.6 % dhe është i kontrolluar për momentin.
“Ditët e fundit që nga mesi i muajit mars kemi parë një rritje të çmimeve të fruta dhe perimeve që kanë ndikuar në shportë. Inflacioni në mars shënoi 2.6 %. Që prej fillimit të krizës kemi monitoruar çmimet në njësitë tregtare. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen në pika shitje në Tiranë por edhe në qarqe të tjera. Rritja ka ndodhur vetëm në kategorinë e perimeve, ndërsa produktet e tjera nuk kanë pësuar rritje. Ky është një shqetësim që monitorohet nga ministritë përkatëse dhe diskutohet ne cdo mbledhje të këshillit të ministrave.
Ne jemi duke monitoruar çmimet në bazë ditore, kemi një informacion që vetëm perimet kanë pasur rritje. Asnjë nga produktet e tjera nuk pasur rritje. E vërteta është që inflacioni në mars shënoi nivelin 2.6 përqind që është i kontrolluar. Megjithatë siç thashë e vërteta është që në të kaluarën kemi ndërhyre në një subvencionim të shtresave në nevojë dhe nëse çmimet do të rriten edhe në produktet e tjera të shportës do të ndërhyjmë më një akt që do parashikojë subvencionim për shtresat në nevojë”, tha ministrja.







