Ballina Bota Vullkani Kilauea shpërthen në Hawaii, llava ngrihet mbi 200 metra në ajër

Vullkani Kilauea shpërthen në Hawaii, llava ngrihet mbi 200 metra në ajër

90
0

Vullkani Kilauea, një nga vullkanet më aktivë në botë, ka shpërthyer të enjten, duke hedhur llavë mbi 200 metra në ajër në Ishullin e Madh të Havait.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), “shatërvanët” e llavës kanë filluar të shpërthejnë nga vullkani pas orës 11:00 sipas kohës lokale. Të enjten në mbrëmje, re tymi dhe llavë po derdhej poshtë shpatit.

Parku Kombëtar i Vullkaneve në Hawaii, një destinacion i njohur turistik për ata që janë kuriozë të shohin aktivitetin vullkanik, u mbyll të enjten për shkak të shpërthimit.

Shërbimi i Parkut Kombëtar u ka bërë thirrje vizitorëve të veshin mëngë të gjata, pantallona të gjata dhe mbrojtëse për sytë për të minimizuar ekspozimin ndaj hirit vullkanik ose tefrës, fragmente të vogla vullkanike prej qelqi.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar paralajmërim për reshje hiri në rajonin juglindor të Ishullit të Madh deri në mesnatë sipas kohës lokale.

“Tefra e madhe e ngjashme me shkumë, deri në madhësinë e një topi futbolli, mund të bjerë pranë majës dhe deri në disa milje në drejtim të erës”, shkroi agjencia. Sipas saj, grimcat e vogla të materialit vullkanik mund të shkaktojnë acarim të syve dhe të frymëmarrjes.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, Kilauea ka shpërthyer dhjetëra herë që nga viti 1952, me kohëzgjatje që kanë variuar nga dy javë deri në mbi një vit.

Një episod i fundit në vitin 2018 ishte katastrofik, kur rrjedha e lavës përfshiu shtëpitë dhe zhvendosi banorët.