Ballina Politika Klevis Elezi: Zhvillimet me Portin e Durrësit tregues të qartë të krizës...

Klevis Elezi: Zhvillimet me Portin e Durrësit tregues të qartë të krizës së thellë të përfaqësimit dhe përgjegjshmërisë në vend

168
0

Klevis Elezi, anëtar i Kryesisë së Partia Mundësia, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike që lidhen me Portin e Durrësit, duke i cilësuar ato si një tregues të qartë të krizës së thellë të përfaqësimit dhe përgjegjshmërisë në vend.

Sipas Elezit, tryeza e organizuar nga Partia Demokratike për çështjen e Portit të Durrësit nuk përfaqëson asgjë më shumë sesa një akt formal dhe i zbrazët, pa vizion dhe pa thelb politik. “Kur një çështje strategjike kombëtare trajtohet me retorikë të konsumuar dhe pa alternativa konkrete, kemi të bëjmë me një mjerim politik që nuk i shërben askujt, përveç ruajtjes së status quo-së,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Elezi akuzon Partia Socialiste për mungesë transparence dhe frikë përballë të vërtetës që lidhet me marrëveshjet për Portin e Durrësit dhe proceset e arbitrazhit ndërkombëtar me palët e huaja. Sipas tij, heshtja institucionale dhe shmangia e llogaridhënies janë tregues i një qeverisjeje që nuk kontrollon më situatën, por i nënshtrohet asaj.

“Porti i Durrësit nuk është një aset i zakonshëm ekonomik. Ai është një nyje strategjike për sigurinë, ekonominë dhe sovranitetin e vendit. Çdo vendim i marrë në errësirë, çdo kontratë e paqartë dhe çdo arbitrazh i dyshimtë, përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për interesin publik,” theksoi Elezi.

Ai shtoi se përplasja politike mes palëve kryesore nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje reale për qytetarët, por vetëm ka thelluar krizën e besimit. Në vend të një debati serioz dhe transparent, sipas tij, publikut i ofrohet një spektakël politik që fsheh përgjegjësit e vërtetë dhe shmang thelbin e problemit.

Në përfundim, Elezi ngriti shqetësimin se, edhe këtë herë, barra e pasojave bie mbi qytetarët shqiptarë. “Ndërsa politika merret me lojëra pushteti dhe kalkulime të ngushta, populli shqiptar mbetet i ekspozuar ndaj kostove ekonomike, pasigurisë ligjore dhe mungesës së drejtësisë. Kjo është panorama reale: një shtet që lë qytetarin në mëshirë të fatit dhe një klasë politike që nuk arrin të ngrihet në nivelin e përgjegjësisë që kërkon momenti,” përfundoi ai.