Ballina Europë Bllokada disa ditore e protestuesve irlandezë, qindra karburante në krizë, cisternat rinisin...

Bllokada disa ditore e protestuesve irlandezë, qindra karburante në krizë, cisternat rinisin shpërndarjet pas ndërhyrjes së policisë

92
0

Kamionët cisternë të karburantit kanë rifituar aksesin në rafinerinë Whitegate Refinery në Irlandë, pas një bllokade disa ditore nga protestuesit për rritjen e çmimeve, ndërsa autoritetet ndërhynë për të zhbllokuar hyrjet dhe për të rikthyer furnizimin me karburant në vend.

Të shtunën, forcat e Garda Síochána përdorën sprej me piper dhe mjete të rënda për të larguar traktorët që kishin bllokuar hyrjen e rafinerisë në Qarkun Cork.

Operacioni u mbështet edhe nga Forcat Mbrojtëse Irlandeze, duke bërë të mundur hyrjen dhe daljen e autocisternave të karburantit.

Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Protestat kanë hyrë në ditën e pestë dhe përfshijnë bllokada në depo karburanti në qarqet Limerick dhe Galway, si dhe konvoje automjetesh që lëvizin ngadalë në rrugë kryesore.

Kriza ka shkaktuar mungesa të mëdha furnizimi, me qindra stacione karburanti të mbetura pa benzinë dhe naftë. Sipas industrisë së karburantit, deri në dy të tretat e pikave të shitjes rrezikojnë të mbeten pa stok nëse bllokadat vazhdojnë.

Ndërprerjet kanë prekur rëndë transportin rrugor dhe publik, veçanërisht në Dublin, ku disa rrugë kryesore janë mbyllur.

Gjithashtu, porti Rosslare Europort përballet me mbingarkesë dhe rrezikon të ndalojë përkohësisht operacionet për shkak të bllokimeve në rrugët hyrëse.

Autoritetet irlandeze kanë shpallur situatën si një “ngjarje të jashtëzakonshme”, duke dyfishuar numrin e forcave policore në terren. Qeveria ndërkohë po finalizon një paketë mbështetëse për sektorët e transportit dhe bujqësisë, që përfshin një skemë të përkohshme për subvencionimin e karburantit.