Ballina Politika Shqipëria jashtë turit ballkanik të ministrit të Jashtëm belg: rastësi apo sinjal...

Shqipëria jashtë turit ballkanik të ministrit të Jashtëm belg: rastësi apo sinjal politik

84
0

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, do të vizitojë pesë vende të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur perspektivat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Prévot do ta nisë udhëtimin sot në Mal të Zi, para se të udhëtojë në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, shkruan The Brussels Times.

“Ballkani Perëndimor nuk është në portat e Evropës; ai është pjesë e Evropës. Siguria e tyre është siguria jonë, stabiliteti i tyre është stabiliteti ynë,” tha Prévot.

Ai theksoi nevojën për një perspektivë të besueshme integrimi, duke shtuar se “disa nga këto vende kanë më shumë se njëzet vjet që presin”, por duhet gjithashtu të tregojnë guxim në zbatimin e reformave të nevojshme.

Por, ajo që bie në sy është mungesa e Shqipërisë në agjendën e Prévot. Shqipëria vijon të mbetet nën vëzhgimin e ngushtë të Bashkimit Evropian për çështje të sundimit të ligjit dhe forcimit të institucioneve, sidomos pas qasjes së fundit që qeveria Rama pati ndaj çështjes Balluku.

Aktualisht, 9 vende të Bashkimit Evropian kanë bllokuar miratimin e IBAR, raporti kyç që i hap rrugë mbylljes së kapitujve të negociatave. Nuk dihet nëse mungesa e vizitës lidhet me një sinjal nga Brukseli për qeverinë.

Edhe pse zyrtarisht nuk ka një lidhje të deklaruar mes zhvillimeve, situata aktuale në të cilën ndodhet Shqipëria dhe kritikat e Brukselit, e bëjnë të pashmangshme interpretimin e këtyre sinjaleve në rrafshin politik./ Politiko.al/