Samiti i Diasporës synonte të ishte një moment reflektimi për identitetin, gjuhën dhe lidhjen e shqiptarëve me atdheun. Por këtë herë vëmendjen nuk e mori vetëm mesazhi i fjalimit të ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, por edhe një detaj tjetër: mënyra si duket se është shkruar.
Teksti i fjalimit është i mbushur me fjali solemne dhe metafora për gjuhën shqipe: suksesi i diasporës si “dritare për Shqipërinë”, gjuha si “kujtesë, identitet dhe vazhdimësi”, dhe paralajmërimi se pa gjuhën “do të mbetej vetëm trupi”.
Fjalë të bukura, të rregullta, të balancuara. Aq të rregullta, sa një mjet për zbulimin e teksteve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale e klasifikon rreth 80% të këtij teksti si me karakteristika të AI.
Sigurisht, këto mjete nuk janë prova përfundimtare. Ato mund të gabojnë. Por ironia është e dukshme: një fjalim për shpirtin e gjuhës dhe identitetin kombëtar duket sikur është prodhuar nga një algoritëm që nuk ka as gjuhë amtare, as identitet.
Kjo ndoshta është tabloja më e qartë e kohës sonë politike: patosi mbetet i njëjtë, metaforat janë po ato, por autori mund të mos jetë më një njeri që rri për orë mbi tekstin. Mjafton një ekran dhe një komandë e shkurtër.
Në fund, problemi nuk është nëse një program ka ndihmuar apo jo në shkrimin e fjalimit. Është shumë më e thjeshtë: në një samit për diasporën dhe identitetin, a duhet që fjalët për gjuhën shqipe të tingëllojnë sikur janë shkruar nga një makinë? Sepse nëse edhe retorika patriotike po prodhohet nga algoritmet, atëherë kemi hyrë në një epokë të re: kur politika flet për shpirtin e gjuhës, por teksti vjen nga serveri./vna







