Një lajm tragjik ka tronditur botën e futbollit. Ish-portieri i liverpool dhe Arsenal, Alex Manninger, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Austri.
Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi të enjten në rajonin e Salzburg, pranë zonës Nussdorf am Haunsberg, ku makina e ish-portierit u përplas nga një tren teksa po kalonte një kryqëzim hekurudhor. Automjeti i tij u tërhoq disa metra pas përplasjes, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Manninger u nxor nga makina dhe mori ndihmën e parë nga mjekët, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Raportohet se ai ishte i vetëm në automjet në momentin e aksidentit, ndërsa drejtuesi i trenit dhe pasagjerët nuk pësuan lëndime. Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Klubi ku ai nisi karrierën, Austria Salzburg, reagoi i pari me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.
Alex Manninger u bë lojtari i parë austriak që luajti në Premier League kur u transferua te Arsenal në vitin 1997, ku fitoi titullin kampion dhe Kupën FA. Gjatë karrierës së tij ai luajti edhe për klube të njohura si Juventus ku qëndroi 4 vite duke fituar dhe titullin kampion në 2011-2012, më pas u transferua tek Torino, Udinese dhe Augsburg.
Në nivel kombëtar, ai regjistroi 33 paraqitje me përfaqësuesen e Austrias midis viteve 1999 dhe 2009 dhe ishte pjesë e skuadrës në Kampionatin Evropian 2008.







