Ballina Lifestyle Këngëtari amerikan arrestohet për vrasjen e një vajze 14-vjeçare

Këngëtari amerikan arrestohet për vrasjen e një vajze 14-vjeçare

82
0

Këngëtari amerikan D4vd është arrestuar nga autoritetet në Los Angeles nën dyshimin për vrasjen e një vajze adoleshente, e cila ishte raportuar e zhdukur vitin e kaluar.

Sipas policisë, artisti, me emrin e vërtetë David Anthony Burke, po hetohej nga një juri e madhe për rastin e Celeste Rivas Hernandez, trupi i së cilës u gjet në një automjet Tesla në muajin shtator.

Siç shkruan BBC, Departamenti i Policisë së Los Angeles bëri të ditur se 21-vjeçari po mbahet pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa çështja pritet t’i kalojë Prokurorisë së Qarkut të hënën.

Rasti kishte ngjallur vëmendje të madhe që pas 8 shtatorit, kur trupi i dekompozuar i 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez u gjet në një depo automjetesh në Hollywood, pas raportimeve për erë të rëndë që vinte nga një makinë e tërhequr.

Sipas dokumenteve gjyqësore, pjesë të trupit u gjetën në pjesën e përparme të një Tesla-je të regjistruar në adresën e këngëtarit në Teksas. Mjeku ligjor deklaroi se trupi ishte në gjendje të rëndë dekompozimi dhe se shkaku i vdekjes nuk ishte përcaktuar ende.

Autoritetet kanë bërë të ditur se vajza mund të kishte qenë e vdekur për disa javë para se të gjendej, ndërsa hetimi vijon si çështje vdekjeje.

Celeste Rivas Hernandez ishte raportuar e zhdukur nga familja në prill 2024, ndërsa jetonte rreth 120 km larg vendit ku u gjet trupi. Sipas mediave lokale, ajo kishte pasur edhe më herët raste largimi nga shtëpia.

Rasti ka nxitur spekulime të shumta në rrjetet sociale për një lidhje të mundshme mes saj dhe këngëtarit, i njohur për hitin “Romantic Homicide”.

Hetimi u intensifikua në dhjetor kur një juri e madhe filloi shqyrtimin e provave, ndërsa familjarët e artistit u thirrën të dëshmojnë në Kaliforni.

Pas gjetjes së trupit, D4vd anuloi turneun botëror dhe u tërhoq nga jeta publike, ndërsa u hoq edhe nga fushatat reklamuese që po zhvillonte me disa marka ndërkombëtare. Bashkëpunimet muzikore me artistë të tjerë janë ndalur gjithashtu.