Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në Borneo, ku një helikopter privat u rrëzua, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave në bord.
Sipas autoriteteve indoneziane, dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë humbën jetën pasi helikopteri, i prodhuar nga Airbus dhe në pronësi të kompanisë lokale Matthew Air Nusantara, humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror vetëm pesë minuta pas ngritjes nga provinca West Kalimantan, mëngjesin e së enjtes.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil, Lukman F. Laisa, konfirmoi se në bord ndodheshin tetë persona, mes tyre edhe një shtetas malajzian. Ai bëri të ditur se, bazuar në informacionet nga terreni, nuk ka të mbijetuar.
Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizonin viktimat në mbrëmje, në një zonë të thellë pyjore me terren të vështirë dhe shpate të pjerrëta, çka e bëri operacionin tepër sfidues.
Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Indonezia, një arkipelag i madh në Azinë Juglindore, mbështetet gjerësisht në transportin ajror për të lidhur mijëra ishujt e saj, por vitet e fundit është përballur me disa aksidente fatale.
Vetëm në janar, një avion i marrë me qira nga ministria e peshkimit u rrëzua në një zonë malore, duke vrarë të dhjetë personat në bord, ndërsa në shtator 2025 një tjetër helikopter u rrëzua në Kalimantanin Jugor, pa asnjë të mbijetuar.







