Ballina Ekonomia Në tre muajt e parë u arketuan 13.3 % më shumë të...

Në tre muajt e parë u arketuan 13.3 % më shumë të ardhura

78
0

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2026, nga Tatimet dhe Taksat janë arkëtuar rreth 205.1 miliardë lekë, duke u rritur me 24 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 13.3% më shumë. Ministria e Financave thotë se në periudhën janar–mars plani u tejkalua, dhe ndikimi kryesor është dhënë nga TVSH-ja.

Nga 77.7 miliardë lekë që ishin në total të ardhurat tatimore për këtë periudhë, 25.2 miliardë lekë u mblodhën vetëm nga tatimi mbi vlerën e shtuar, ose 19.4% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe afro 3.4 miliardë lekë mbi planin e parashikuar. Kjo vlerë lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve, veçanërisht të karburanteve dhe fruta–perimeve, që nisën të shtrenjtohen pas konfliktit në Lindjen e Mesme.

Pas vlerës së TVSH-së, referuar të dhënave të Ministrisë së Financave për tremujorin e parë të vitit, rritja më e madhe është regjistruar tek Tatimi mbi Fitimin, ku u mblodhën 19.6 miliardë lekë, ose 12.7% më shumë krahasuar me vitin 2025. Ndërsa nga DIVA, Tatimi mbi të Ardhurat Personale u arkëtuan 21.8 miliardë lekë, me një rritje prej 1 miliard lekësh. Nga ana tjetër, dikasteri i financave bën të ditur se nga të ardhurat doganore gjatë periudhës janar–mars u arkëtuan 52.9 miliardë lekë.

Sa i përket shpenzimeve të përgjithshme publike, për periudhën tremujore të këtij viti ato arritën vlerën e rreth 156 miliardë lekëve, duke u realizuar në masën 92.9% të planit të periudhës, ose 8.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë tremujore të vitit 2025.