Ballina Kulturë “Zërat e Tokës”, shfaqja te Amfiteatri i Tiranës si thirrje artistike në...

“Zërat e Tokës”, shfaqja te Amfiteatri i Tiranës si thirrje artistike në Ditën Ndërkombëtare të Tokës

76
0

Një produksion tërësisht i ri, që ndërthur elementë të musical-it me teatrin, muzikën dhe lëvizjen, “Zërat e Tokës” vjen si një thirrje artistike për të reflektuar mbi marrëdhënien tonë me natyrën dhe për të dëgjuar zërat e saj, shpesh të heshtur, por gjithmonë të pranishëm.

Në mbrëmjen e 23 prillit, në orën 19.30 në Teatrin e hapur “Mirush Kabashi” – Parku i madh te Liqeni Artificial i Tiranës, do të ngjiten artistë të njohur dhe të rinj, të cilët përmes interpretimit të tyre do të përcjellin emocione të forta dhe mesazhe që prekin shpirtin. Një kast i pasur aktorësh, si Raimonda Bulku, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj dhe shumë të tjerë, i japin jetë kësaj nisme artistike.

Një element i veçantë i kësaj shfaqjeje është përfshirja e mbi 50 fëmijëve e të rinjve, të cilët sjellin në skenë energjinë por edhe mesazhe ndërgjegjësuese për natyrën.
Krahas tyre, artistët e Cirkut Kombëtar do të interpretojnë me numra akrobatikë mbresëlënës, duke i dhënë produksionit një dimension spektakolar dhe një gjuhë të veçantë skenike.

Nga ana krijuese, shfaqja mban firmën koreografike të Joli Eleni Gjovrekut, me skenar nga Ermir Nika, ndërsa motivi muzikor nga O’drit Istrefi dhe muzika nga Metila Dervishi krijojnë një atmosferë unike, të pasuruar nga orkestrimi dhe “sound design” i Kristi Bellos. Konceptimi akrobatik vjen nga koreografia Olta Ahmetaj dhe regjia e efekteve vizuale nga Fabian Basha i japin produksionit një dimension të veçantë artistik dhe bashkëkohor.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përdorimi i kostumeve të ricikluara, apo maskave të realizuara me kontributin e skulptorit Henri Mimani dhe Eni Dare.

“Zërat e Tokës” vjen në bashkëpunim me Cirkun Kombëtar dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Një mbrëmje, një skenë, një mesazh: Toka flet… a jemi gati ta dëgjojmë?