Ballina Kuriozitete Inteligjenca artificiale deshifron letrën më të vjetër të dashurisë në botë

Inteligjenca artificiale deshifron letrën më të vjetër të dashurisë në botë

89
0

Një letër dashurie e shkruar më shumë se 540 vite më parë është deshifruar falë inteligjencës artificiale, duke zbuluar historinë prekëse të një gruaje të re që u përball me dilemën mes dashurisë dhe interesave financiare të familjes së saj.

Ekspertët e platformës genealogjike MyHeritage përdorën teknologjinë e re “Scribe AI” për të analizuar letrën e shkruar në shkurt të vitit 1477 nga Margery Brews për të fejuarin e saj, John Paston III.

Dokumenti konsiderohet si një nga letrat më të vjetra romantike të njohura në gjuhën angleze, por deshifrimi i tij ka qenë tepër i vështirë. Letra ishte shkruar në një stil joformal, me drejtshkrim të paqëndrueshëm, shkurtime mesjetare dhe simbole të vjetra anglo-saksone që sot janë pothuajse të pakuptueshme.

Përmes analizës së inteligjencës artificiale, studiuesit arritën të zbulojnë përmbajtjen e plotë të letrës, ku Margery i rrëfen të fejuarit të saj dhimbjen dhe ankthin që po përjetonte për shkak të konfliktit mes dy familjeve lidhur me pajën e martesës.

Në letër, ajo shkruan se kishte një “zemër të rënduar”, pasi nëna e saj nuk kishte arritur të bindte të atin që të rriste shumën e pajës, siç kërkonte familja e dhëndrit. Megjithatë, Margery i premton John-it se dashuria e saj nuk do të ndryshonte, edhe nëse ai do të humbiste gjysmën e pasurisë së tij.

Ajo i kërkon gjithashtu të fejuarit që letra të mbahej sekret.

Pavarësisht vështirësive dhe presionit financiar, historia pati një fund të lumtur. Margery dhe John u martuan dhe më vonë sollën në jetë një djalë, William, në vitin 1479.

Letra është pjesë e koleksionit të famshëm “Paston Letters”, që përmban mbi 400 letra të shkruara përgjatë tre brezave nga një familje angleze në Norfolk dhe që konsiderohet një nga burimet më të rëndësishme historike për jetën sociale në Anglinë mesjetare.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se disa pasardhës të çiftit ekzistojnë ende sot dhe reaguan me emocion pasi mësuan lidhjen e tyre me këtë histori dashurie të shekullit XV.