Ballina Kulturë Në vend të Eurovisionit, Sllovenia do të transmetojë filma për Palestinën

Në vend të Eurovisionit, Sllovenia do të transmetojë filma për Palestinën

70
0

Sllovenia do të transmetojë filma për Palestinën në vend të Eurovisionit, ndërsa edhe Irlanda dhe Spanja kanë vendosur të mos e transmetojnë këtë ngjarje këtë vit, në shenjë bojkoti ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.

Përfaqësuesit e transmetuesit publik slloven RTV Slovenia kanë konfirmuar se Sllovenia, jo vetëm që nuk do të marrë pjesë me një këngë, por do të ndërpresë plotësisht transmetimin e garës dhe në vend të tij do të shfaqen një seri filmash për Palestinën, ka raportuar The Guardian.

“Nuk do ta transmetojmë Eurovisionin. Në vend të tij do të shfaqim serinë filmike ‘Voices of Palestine’, që përfshin dokumentarë dhe filma artistikë palestinezë”, ka deklaruar drejtoresha e institucionit, Ksenija Horvat, për Associated Press

Edhe transmetuesi publik spanjoll RTVE e ka përsëritur vendimin për të mos e transmetuar ngjarjen, gjë që do të thotë se për herë të parë që nga viti 1961, Spanja nuk do ta shfaqë Eurovisionin në televizion publik.

Ndërkohë, transmetuesi publik irlandez RTÉ kishte njoftuar që në dhjetor se nuk do të marrë pjesë dhe as nuk do ta transmetojë konkursin.

Nga ana tjetër, Holanda dhe Islanda janë tërhequr nga pjesëmarrja, por konkursi do të transmetohet në televizionet e tyre publike, përkatësisht NPO dhe RÚV.

Edicioni i sivjetshëm, që shënon 70-vjetorin e Eurovisionit, do të zhvillohet në Vjenë, nga 12 deri më 16 maj, me pjesëmarrjen e 35 shteteve.

Bojkoti ka ndodhur pas vendimit të organizatorit, European Broadcasting Union, për të lejuar pjesëmarrjen e Izraelit, pavarësisht kritikave për veprimet e tij në luftën në Gaza.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka qenë kritik i zëshëm i kësaj lufte.

Në muajin gusht të vitit 2025, qeveria e tij ka njoftuar ndalimin e importit të produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, si pjesë e reagimit ndaj “politikave të qeverisë izraelite që minojnë mundësitë për një paqe të qëndrueshme”.

Nën sloganin “United by Music”, Eurovisioni synon të mbajë muzikën larg politikës, por shpesh është përballur me tensione ndërkombëtare.

Rusia është përjashtuar nga konkursi që nga viti 2022, pas pushtimit të Ukrainës.

Lufta në Gaza ka krijuar tensione të reja edhe këtë vit, me protesta jashtë vendeve ku zhvillohet ngjarja dhe masa më të rrepta nga organizatorët për të ndaluar shfaqjen e simboleve politike.

Për këtë edicion janë vendosur edhe rregulla të reja, që synojnë të ndalojnë qeveritë dhe palët e treta të promovojnë këngët për të ndikuar në votim, pas shqetësimeve të ngritura vitin e kaluar kur Izraeli mori më së shumti vota nga publiku, duke u renditur në vendin e dytë pas votave të jurisë.