Ballina Aktualitet Studimi i Co-plan: Ndotje masive në Liqenin e Bovillës që furnizon me...

Studimi i Co-plan: Ndotje masive në Liqenin e Bovillës që furnizon me ujë Tiranën

119
0

Problemet me liqenet në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe, në shumë raste, gjendja e tyre po përkeqësohet. Sipas të dhënave të monitorimit për vitin 2025 të Co-plan, një pjesë e mirë e liqeneve nuk janë më në gjendje të mirë, ndërsa edhe ato që konsiderohen “të pranueshme” po përballen me ndotje në rritje.

Një nga rastet më shqetësuese është Liqeni i Bovillës, që furnizon me ujë të pijshëm Tiranën. Ky liqen rezulton në gjendje të keqe, kryesisht për shkak të ndotjes nga përbërje ushqyese (si nitrate) dhe rritjes së përqendrimit të mineraleve në ujë. Kjo lidhet me aktivitetet njerëzore dhe shkarkimet në zonën përreth. Probleme të ngjashme shfaqen edhe në Liqenin e Farkës, si dhe në liqene të tjerë si Tregani dhe Tafanët, ku ndotja vjen nga bujqësia dhe ujërat e zeza urbane.

Edhe liqenet që konsiderohen në gjendje “mesatare”, si Liqeni Artificial i Tiranës dhe liqenet e Belshit, nuk janë pa probleme. Uji në këto liqene po bëhet më i turbullt dhe po rritet përmbajtja e kripërave dhe substancave të tretura, çka tregon se ndotja është e pranishme dhe po shtohet gradualisht.

Situata është më e ndërlikuar në liqenet e mëdha ndërkufitare. Në Liqenin e Shkodrës janë konstatuar nivele të larta nitratesh, mbi kufijtë e lejuar për ujitje, si dhe prani bakteresh fekale si E. coli, që tregojnë ndotje nga aktivitetet bujqësore dhe ujërat e ndotura. Kjo e bën ujin më pak të sigurt për përdorim nga njerëzit, sidomos për pushim apo aktivitete rekreative. Ndërkohë, Liqeni i Prespës së Madhe paraqet një gjendje më të qëndrueshme, por gjithsesi është i ndjeshëm dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm.

Të dhënat e raportit tregojnë kemi të bëjmë me një situatë të vazhdueshme ndotjeje që buron nga mënyra e papërgjegjshme e përdorimit të territorit ujor.

Nëse kjo situatë vazhdon, rrezikohet jo vetëm jeta ujore, por edhe përdorimi i liqeneve për ujë të pijshëm, ujitje dhe turizëm. Për këtë arsye, raporti thekson nevojën për kontroll më të fortë të ndotjes dhe monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së ujit./ekofin.al