Ballina Sport Teuta rrezikon rënien, trajneri Dobi: Nuk kam frikë! Mund t’i vendosim fajin…

Teuta rrezikon rënien, trajneri Dobi: Nuk kam frikë! Mund t’i vendosim fajin…

120
0

Trajneri Enkelejd Dobi foli pas humbjes 2 me 0, që Teuta pësoi në transfertën e Bylisit. Durrsakët tashmë ndodhen vetëm 3 pikë larg zonës “play out”.

“Pas ndeshjes jemi të gjithë të zgjuar. Jo goli i pësuar, se është pjesë e lojës. Ashtu si erdhi, tip rikosheti. Aksioni i mirë, por goditja që devijohet para portierit. Krijuam raste në pjesën e parë, që duhet të shënonim. Pse nuk shënuam, kjo është pyetja. Kur e merr golin shpejt, merr goditje. Krijuam, por nuk shënuam. Kishim 3-4 raste të pastra. Pjesën e dytë duhet të reagonim ndryshe. Në të parën u munduam. Çunat dhanë atë që donim. Nuk mund të themi që është krizë loje, është krizë rezultatesh. Të fut në kompleks psikologjik, që thua pse. Është e vështirë ta gjesh. Duhet të reagojmë dhe të punojmë çdo ditë. Janë katër ndeshje me humbje dhe që nuk kemi shënuar gol. Kemi krijuar raste, por pse nuk shënojmë? Duhet të jemi më të qetë para portës, të bëjmë zgjedhjet e duhura.  Kjo po na vret pak, ana psikologjike.

Arifi si anësor? Arifi në ndeshjet e tjera që kemi luajtur me sistem që e ndryshuam 4-3-3, ishte më efikas, kishte asiste, gola, mori penallti. Çfarë mungon? Arifi ndihet mirë. Ne bisedojmë. Jemi munduar që të gjejmë pozicionin më të duhur për të, ai ka nevojë për hapësirat. Kur të marri topin në këmbë, të marri metra. Nuk është ky problemi. Nëse do flasim për sot, problemi ishte që morëm golin shpejt, por ne krijuam raste. Po të mos krijonim raste, do flisnim ndryshe. Analiza do ishte në këndvështrim tjetër. Kemi atë lojën tonë, lëvizjet tona, dhe kur kemi sulmin pozicional. Dhe me goditjet standarde, dhe goli që është shënuar ishte 10 centimetra pozicion jashtë loje. Pastaj dhe Votlai ka situatë për gol, kemi krijuar, shtylla në fund. Sot kundërshtari ka goditur katër herë, ka bërë dy gola. Ne gjuajmë dhjetë herë, nuk bëjmë gol. Kjo është pyetja që bëjmë çdo ditë, kemi ushtrimet, marrim përsipër dhe anën psikologjike. Nuk i jap ndonjëherë shpjegim pse, kjo na vrau. Goli i dytë erdhi për vendosje të gabuar. Lëshim. Mund t’i vendosim fajin Kuqit si lojtar i ri sepse do gabojë. Deri në atë moment u munduam me gjithë forcën. Kemi luajtur gati me pesë lojtarë sulmues. Nuk jap dot saktësisht shpjegimin, që duhet të jem i pari që duhet ta jap, por sot nuk mund të them pse nuk funksionoi. Goli i parë që në minutën e tretë, duke i paraprirë, që duhet të jemi të përqëndruar dhe nuk duhej goli i parë.

E kemi komplikuar vetë situatën, me kohë duhet ta siguronim qëndrimin pa luajtur me makth duke parë nga prapa. Jemi përgjegjësit e parë vetë ne, nuk duhet të vinim deri këtu. Deri para prillit, ambiciat tona ishin ndryshe. Po luftonim për Final Four, ky është futbolli që të dërgon me këmbë në tokë, kjo është ajo që të pret. Dhe me Tiranën është derbi tjetër, duhet të mendojmë që iku kjo që shkoi. Si do reagojmë. Këto momente forcojnë karakterin, tregojnë vlerën dhe personalitetin e çdo lojtari së bashku me mua në krye.

Frikë për rënien? Makth është, por frikë jo. Nuk e mendojmë asnjëherë që Teuta do bie nga kategoria. Tani duhet të reagojmë, të tregojmë personalitet, përulësi dhe maturi. Frika është pjesë e jetës. Frikë kemi, kur nuk kam çfarë t’u jap fëmijëve nëse janë sëmurë. Duhet të kthehemi te fitorja”, u shpreh Dobi për “RTSH”.