Ballina Lifestyle Këngëtarja e njohur kërkon të mbrojë zërin si markë tregtare, mes shqetësimeve...

Këngëtarja e njohur kërkon të mbrojë zërin si markë tregtare, mes shqetësimeve për AI

90
0

Këngëtarja e njohur Taylor Swift ka paraqitur një kërkesë në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së (USPTO) për të regjistruar zërin e saj si markë tregtare, në një hap të pazakontë që synon mbrojtjen nga përdorimi i paautorizuar në epokën e inteligjencës artificiale.

Sipas dokumenteve zyrtare, Swift ka dorëzuar dy mostra audio që nisin me frazën “Hej, është Taylor”, përmes të cilave njofton publikimin e albumit të saj më të fundit, “The Life of a Showgirl”, i publikuar në fillim të tetorit.

Në dosje përfshihet edhe një fotografi e artistes në skenë. Megjithatë, përfaqësuesit e saj nuk kanë dhënë komente mbi këtë nismë.
Ky veprim vjen në një kohë kur shqetësimet për përdorimin e zërit dhe imazhit nga teknologjitë e inteligjencës artificiale janë në rritje.

Në shtator 2024, Swift reagoi publikisht pasi në faqen zyrtare të fushatës së Donald Trump u publikua një imazh i rremë i saj, duke i bërë thirrje votuesve të mbështesnin kandidaturën e tij. “Kjo më ka ringjallur frikën për Inteligjencën Artificiale dhe rrezikun e dezinformimit”, deklaroi ajo në atë kohë.

Një iniciativë e ngjashme është ndërmarrë më herët edhe nga aktori Matthew McConaughey, i cili në janar iu drejtua USPTO-së për të mbrojtur zërin e tij nga përdorimet e papërshtatshme nga modelet e AI-së.