Mesfushori i Arsenal, Declan Rice, ka bërë thirrje që skuadra londineze të mos frikësohet nga pesha e historisë në garën për trofeun e parë në Champions League.
Arsenal ka udhëtuar në Madrid për ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Atletico Madrid, me synimin për t’u afruar drejt finales së dytë në histori.
Klubi anglez nuk e ka fituar kurrë Champions League, ndërsa finalja e vetme ishte humbja ndaj Barcelona në vitin 2006.
Rice ka thënë se skuadra është pjekur nga përvojat e viteve të fundit.
“Kemi luajtur ndeshje të mëdha në tri apo katër vitet e fundit dhe e dimë çfarë na pret. Jemi në gjysmëfinale të Champions League, duhet ta shijojmë dhe ta përqafojmë këtë moment”, është shprehur ai.
Arsenali vazhdon edhe garën për titull në Premier League, ku mban epërsinë ndaj Manchester City.
Ndërkohë, para ndeshjes ka shqetësime për gjendjen fizike të Kai Havertz dhe Eberechi Eze.







