Ballina Ekonomia Tatimet shtojnë monitorimin në bujqësi: verifikime të thelluara dhe kompensim 10% për...

Tatimet shtojnë monitorimin në bujqësi: verifikime të thelluara dhe kompensim 10% për fermerët

93
0

Administrata Tatimore ka njoftuar shtimin e monitorimit ndaj subjekteve grumbulluese dhe përpunuese bujqësore, pas ankesave të fermerëve për mosrespektim të detyrimit për lëshimin e autofaturave tatimore. Fokusi i këtij aksioni do të jetë kontrolli i zinxhirit të furnizimit, me synim formalizimin e tregut dhe garantimin e të drejtave të fermerëve.

Sipas njoftimit, do të kryhen verifikime të thelluara në të gjithë zinxhirin e grumbullimit dhe përpunimit, ndërsa do të ushtrohet kontroll specifik për lëshimin e autofaturave për blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët. Një tjetër element kyç i aksionit është evidentimi i inputeve fiktive dhe dallimi i aktivitetit real të subjekteve, për të shmangur abuzimet fiskale.

Administrata paralajmëron masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton detyrimin për dokumentimin e transaksioneve me faturë tatimore. Paralelisht, fermerët inkurajohen të kërkojnë faturë për çdo shitje të kryer ndaj subjekteve të regjistruara, duke përfituar edhe kompensimin prej 10% mbi vlerën e furnizimeve të dokumentuara me faturë, për një periudhë 6-mujore.

Aplikimet për përfitimin e këtij kompensimi do të nisin më 1 korrik. Sipas Tatimeve, kjo skemë synon të rrisë transparencën, të nxisë konkurrencën e ndershme dhe të forcojë formalizimin e ekonomisë në sektorin bujqësor.