Bregdeti i Gjirit të Durrësit po tërheq gjithnjë e më shumë blerës, ndërsa ndërtimet e reja dhe rritja e çmimeve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare sigurimin e një banese.
Ndërkohë që për të huajt Shqipëria shihet si një destinacion i favorshëm për jetesë pas moshës aktive, për shkak të kostos së ulët dhe stilit të jetesës, për vendasit situata paraqitet ndryshe. Një shtetase amerikane është shprehur se po shqyrton mundësinë për t’u zhvendosur në Shqipëri dhe për të blerë një apartament, duke e konsideruar vendin më ekonomik krahasuar me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, rritja e vazhdueshme e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme po shqetëson banorët vendas, të cilët shohin gjithnjë e më të largët mundësinë për të blerë shtëpi.
Agjentët imobiliarë thonë se tregu po lëviz me ritme të shpejta dhe çmimet janë në rritje, duke sugjeruar kujdes për vendimet e shitblerjes në këtë periudhë.
Në këtë situatë, Durrësi po ndryshon me shpejtësi, duke u kthyer në një zonë ku përplasen interesat e investitorëve dhe vështirësitë e banorëve për të përballuar koston e jetesës.







