Policia spanjolle ka sekuestruar atë që mendohet të jetë një sasi rekord kombëtare kokaine nga një anije në Oqeanin Atlantik.
Nga 30,000 deri në 45,000 kg u gjetën kur Garda Civile ndaloi një anije mallrash në ujërat ndërkombëtare, njoftoi sindikata kryesore e organizatës, AUGC.
Ajo e quajti këtë veprim një “goditje historike ndaj trafikut të drogës”.
Anija u ndalua pranë Ishujve Kanarie të Spanjës të premten dhe rreth 20 persona u arrestuan, tha AUGC për agjencinë e lajmeve AFP.
Ajo kishte udhëtuar nga Sierra Leona dhe ishte në rrugën e saj për në Libi.
Garda Civile ka refuzuar të japë detaje mbi hetimin për arsye ligjore.
Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska u tha gazetarëve në Madrid se sekuestrimi ishte “një nga më të mëdhenjtë, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar”.
Garda Civile ndau një fotografi në X që tregon drogën e futur në hambarin e anijes së ndaluar.
“Sot po shkruhet historia në Shërbimin Detar të Gardës Civile”, shkroi ajo.
“Në ujërat ndërkombëtare u kap sekuestrimi më i madh i njohur: midis 30,000 dhe 45,000 kg kokainë në bordin e një anijeje mallrash”, shtoi Garda Civile.
Ndërsa anija po shkonte drejt Libisë, AFP raportoi se modeli i operacioneve të mëparshme sugjeron se ajo do të shkarkonte drogën në anije më të vogla për shpërndarje në Evropë.
Në janar, autoritetet spanjolle kryen sekuestrimin më të madh të kokainës në det nga një anije që mbante pothuajse 10 ton.







