Ballina Ekonomia Sa po kushton të zbulosh rivierën shqiptare? Çmimet rriten lehtë, por vendi...

Sa po kushton të zbulosh rivierën shqiptare? Çmimet rriten lehtë, por vendi mbetet ndër destinacionet më ekonomike në rajon

72
0

Eksplorimi i natyrës dhe bukurisë shqiptare po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga arsyet kryesore pse turistët  vendas dhe të huaj zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

Riviera shqiptare vijon të mbetet më e kërkuara, me destinacione si Dhërmiu, Himara apo Ksamili që kryesojnë kërkesat për guida eksploruese. Por interesi nuk kufizohet vetëm në jug  pasi gjithnjë e më shumë turistë po kërkojnë të zbulojnë edhe zona të tjera dhe të brendshme të vendit, duke rritur ndjeshëm diversitetin e ofertave turistike. Kjo ka bërë që tregu i guidave të zgjerohet, duke ofruar paketa që variojnë nga ture të thjeshta ditore deri te eksperienca të personalizuara dhe premium.

Një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim luajnë platformat ndërkombëtare si GetYourGuide, të cilat mundësojnë akses të lehtë në një gamë të gjerë guidash, krahasim çmimesh dhe rezervime të shpejta për turistët nga e gjithë bota. Përmes këtyre platformave, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë ekspozim në tregun global të turizmit.

Për vitin 2026, të dhënat tregojnë një rritje të lehtë të çmimeve në këtë sektor, me një mesatare prej 6–8% në disa kategori guidash. Kjo rritje mund  të lidhet kryesisht me përmirësimin e shërbimeve, kërkesën në rritje dhe përfshirjen e elementeve shtesë si transporti i organizuar, guidat profesionale dhe hyrjet në site kulturore apo natyrore. Në shumë raste, çmimi final mbetet fleksibël dhe varet nga zgjedhjet e vetë turistëve.

Gjatë sezonit veror 2026, çmimet për eksplorimin e rivierës shqiptare me guida variojnë mesatarisht nga 25 deri në 100 euro për person. Diferencat në çmim lidhen ngushtë me destinacionin dhe përmbajtjen e guidës. Zonat më premium, si ato përreth Ksamilit, priren të kenë çmime më të larta për shkak të kërkesës së madhe dhe ofertës së pasur turistike. Në anën tjetër, guida më ekonomike mund të gjenden në destinacione si ishulli i Sazanit, ku kostoja mbetet më e përballueshme për turistët që kërkojnë aventura me buxhet më të kufizuar.

Kur krahasohet me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria vijon të jetë një nga alternativat më konkurruese në aspektin e çmimeve. Në raport me Malin e Zi, çmimet janë pothuajse të ngjashme, duke reflektuar një nivel të afërt zhvillimi turistik. Ndërsa në krahasim me Kroacinë dhe Greqinë, Shqipëria ofron guida dukshëm më ekonomike, çka e bën një zgjedhje tërheqëse për turistët që kërkojnë përvoja cilësore pa kosto të larta.