Në nëntorin e vitit 1972, Shqipëria komuniste festonte me propagandë dhe pompozitet 60-vjetorin e Pavarësisë. Në tribunat zyrtare përmendeshin flamuri, Vlora dhe Ismail Qemali. Por ndërsa regjimi ngrinte kultin e themeluesit të shtetit shqiptar, pas kuintave po ndodhte një histori e dhimbshme dhe ironike: nipërit dhe mbesat e vetë Ismail Qemalit ishin lënë jashtë festimeve.
Dokumentet dhe telegramet e kohës tregojnë se Mehri Frashëri, mbesa e Ismail Qemalit, kishte kërkuar të merrte pjesë në ceremonitë e jubileut të madh të Pavarësisë. Në telegramin drejtuar Enver Hoxhës, ajo shkruante me dhimbje se të gjitha kërkesat e saj drejtuar komiteteve në Tiranë dhe Vlorë kishin mbetur pa përgjigje.
“Më vjen shumë keq. S’ka gjë. Të rrojë Shqipëria sa malet”, shkruante ajo në fund të telegramit, në një fjali që tingëllon si dorëzim, por edhe si plagë e heshtur.
Në një tjetër letër, një pasardhës tjetër i familjes së Ismail Qemalit i drejtohej personalisht Enver Hoxhës me tone respekti e besnikërie, duke i kujtuar sakrificat dhe lidhjen shpirtërore me figurën e themeluesit të shtetit shqiptar. Letra është e mbushur me një përulësi tipike të kohës, ku autori ndjen nevojën të deklarojë besnikërinë ndaj Partisë përpara se të kërkojë të drejtën minimale: praninë në festimet për gjyshin e tij.
Por ajo që e bën edhe më tronditëse këtë histori është shënimi i brendshëm i funksionarëve të regjimit. Sipas komenteve të administratës, ishte diskutuar me Fadil Paçramin fakti që Mehri Frashëri nuk ishte ftuar. Arsyeja? Bashkëshorti i saj ishte i dënuar politik. Dhe më pas, sipas dokumentit, Paçrami së bashku me Manush Myftiun kishin arritur në përfundimin absurd: nuk duhej të ftoheshin as nipërit dhe as mbesat e Ismail Qemalit.
Kështu, regjimi që pretendonte se mbronte trashëgiminë e Pavarësisë, përjashtonte nga ceremonia familjen e njeriut që ngriti flamurin në Vlorë.
Është një nga ato episode që tregojnë më qartë se si diktatura nuk njihte histori, gjak apo meritë kur biografia politike konsiderohej “e njollosur”. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, edhe mbiemri Ismail Qemali nuk mjaftonte për të shpëtuar nga damka e luftës së klasave.
Në fund mbetet ironia e hidhur e historisë: në podium flitej për Ismail Qemalin, ndërsa pasardhësit e tij shikonin festën nga larg si të njollosur me “biografi të keqe”./vna







