Ballina Kosovë Nisma e Limajt mbetet jashtë, 22 parti e tri koalicione do të...

Nisma e Limajt mbetet jashtë, 22 parti e tri koalicione do të garojnë në zgjedhjet e qershorit

75
0

Ndërsa 22 parti politike dhe tri koalicione do të garojnë zyrtarisht në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk do të marrë pjesë, konfirmoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të premten.

Partitë dhe koalicionet kishin kohë deri në mesnatën e së enjtes për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, të cilat vijnë si pasojë e shpërndarjes së Kuvendit nga dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, do të garojë sërish në një koalicion me partitë Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.

Pjesë e garës do të jetë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të garojë në një listë me ish-partinë e vet, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Po ashtu, do të garojë edhe Partia Socialdemokrate (PSD) e përbërë kryesisht nga anëtarë të dikurshëm të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, Nisma, e cila dështoi ta kalojë pragun në zgjedhjet e kaluara në dhjetor, vendosi të mos garojë e vetme. Në zgjedhjet paraprake, Nisma kishe hyrë në Kuvend pasi kishte garuar në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Thuhej se Limaj kishte bërë përpjekje për të bashkëpunuar me partinë më të madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për të garuar në një listë të përbashkët.

Subjektet politike dhe koalicionet kanë kohë deri më 12 maj për t’i dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor pasi vendi dështoi ta zgjedhë një president të ri për t’i shmangur ato.

Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025.

Partitë politike pjesëmarrje në zgjedhje

1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

Koalicionit:

1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).