Ballina Aktualitet Akuza bombë e anëtarit të KVO: Korrupsion në tenderin 9.5 milionë euro...

Akuza bombë e anëtarit të KVO: Korrupsion në tenderin 9.5 milionë euro të RTSH-së, vlera u dyfishua

85
0

Një anëtar i Komisionit të Ofertave ka hedhur dyshime të forta mbi tenderin 9,5 milionë euro të Radiotelevizionit Shqiptar për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2 për katër vitet e ardhshme.

Kapitali publikon shkresën konfidenciale, në të cilën një nga 5 anëtarët e KVO-së, i caktuar nga vetë RTSH, denoncon se vlera e tenderit që u fitua nga Idea Tel e biznesmenit Idlir Karkini është fryrë me 60 për qind krahasuar me çmimin që ka kushtuar i njëjti shërbim në katër vitet e mëparshme.

“I njëjti operator (Idea-Tel) ka kryer me nënkontraktim shërbimin për periudhën 2021-2025 me një çmim prej 5.6 milionë euro pa tvsh. Ndërkohë që për të njëjtin shërbim (e njëjta periudhë dhe objekt pune) ka ofruar 9 milionë euro ose 61 për qind më shumë” thuhet në opinionin denoncues, që anëtari i KVO i ka bashkangjitur vlerësimit të fituesit.

Akuza bombë e anëtarit të KVO: Korrupsion në tenderin 9.5

Pjese nga shkresa e anetarit te KVO

Rrjeti i shpërndarjes DVB-T2 për Radiotelevizionin Shqiptar u ndërtua nga kompania gjermane Rode & Shwarz dhe kushtoi 20 milionë euro. Por mirëmbajtjen për katër vitet e shkuara kompania gjermane ja nënkontraktoi kompanisë Idea-Tel për një vlerë prej 5,6 milionë euro.

Tani që i njtji shërbim prokurohet me tender publik nga RTSH, çmimi për katër vitet e ardhshme është fryrë në mënyrë konsiderueshme dhe rritja reale e tij krahasuar me periudhën e mëparshme është edhe më e madhe se sa denoncon anëtari i KVO-së.

Kjo pasi vlera fituese e tenderit nga bashkimi i operatorëve Idea-Tel dhe Real Com është 899.3 milionë lekë, që me kursin aktual bëjnë rreth 9.4 milionë euro dhe jo 9 milionë sa thuhet në opinionin e vlerësimit.

Pra gati 4 milionë euro më shumë nga vlera me të cilën e njëjta kompani, pra Idea Tel, e e kreu këtë shërbim për katër vitet e shkuara duke e nënkontraktuar nga Rode & Shëarz, që bëri të gjithë sistemin.

Por fryrja gati dyfish e çmimit nuk është denoncimi i vetëm. Sipas shkresës, tenderi ka qenë thuajse para garë, pasi nga 3 ofertat e paraqitura, njëra ishte totalisht fiktive, pasi nuk kishte asnjë dokument, ndërkohë që oferta e dytë kishte mangësinë e autorizimit të prodhuesit.

“Praktikisht numri i ofertave të vlefshme është reduktuar në një duke eliminuar konkurrencën reale. Oferta e fituese e Idea-Tel dhe Real Com është thuajse në nivelin e fondit limit, pa reflektuar ulje të çmimit, çka tregon mungesë të presionit konkurrues,” vijon opinioni i vlerësimit që ka bërë anëtari i KVO-së.

Akuza bombë e anëtarit të KVO: Korrupsion në tenderin 9.5

Fondi limit i tenderit për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2 të RTSH për një periudhë katër vjeçare ishte paracaktuar 906 milionë lekë. Idea-Tel dhe Real Com u shpallën fituese me çmimin 899.3 milionë lekë ose sa 99.3 për qind e fondit limit. Domethënë në një tender prej 9.5 milionë euro RTSH kurseu vetëm 70 mijë euro. Këto çmime ofrohen vetëm kur tenderi nuk ka presion konkurrues dhe kompania e paracaktuar fituese nuk ka frikë nga konkurrenca.

Megjithatë opinioni denoncon se kompania fituese nuk përmbush as kriteret. “Tek Idea-Tel dhe Real Com mungojnë diplomat e universitetit për katër inxhinierë dhe kontratat e punës për të gjithë stafin e deklaruar. Gjithashtu në bazë të informacionit në dosje nuk mund të provohet nëse stafi inxhinierik i të dy kompanive ka eksperiencë të punës në lidhje me sistemet DVB-T2,” vijon shkresa.

Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga një prej anëtareve të KVO, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH shpalli fitues bashkimin e kompanive Idea-Tel dhe Real Com në një proces prokurimi pa garë dhe me vlerë të fryrë gati dyfish./kapital