Ballina Politika Dita e Europës/ Si e bllokoi Rama integrimin, Shqipëria më larg BE-së...

Dita e Europës/ Si e bllokoi Rama integrimin, Shqipëria më larg BE-së se kurrë më parë

76
0

Në Ditën e Europës, Edi Rama dhe qeveria e tij është hedhur në sulm se kush bën postimin më patetik për integrimin e vendit. Nëse një vit më parë, për shkak të situatës gjeopolitike në Europë, integrimi në BE kishte marrë tek-tuk ndonjë sinjal pozitiv, brenda një viti, Edi Rama jo vetëm e ka bllokuar integrimin, por vendi ka bërë hapa pas.

Sa për fillim, mjafton të krahasojmë dy raportet e AFET, Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për të kuptuar se sa keq kanë rrjedhur gjërat brenda një viti.Sivjet, AFET e fundos Edi Ramën në çdo aspekt të qeverisjes. Por më e rëndësishmja, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian denoncon ashpër farsën elektorale të vitit të shkuar.

Ndryshe nga disa pretendime të qeverisë se zgjedhjet e vitit të shkuar ishin konkurruese (kompetitive), raporti i AFET rrëzon edhe këtë gjë, kur thotë se kuadri ligjor e garanton konkurrueshmërinë, por kjo gjë nuk u arrit pasi në Shqipëri dominon partia-shtet.Por nëse raporti i AFET nuk mjafton, atëherë kujtoni se çfarë ka ndodhur me raportin e ndërmjetëm IBAR. Ky raport nuk është miratuar pas një seri mbledhjesh, ndërkohë që Mali i Zi e mori dritën jeshile që në mars të këtij viti.

Nëse fillimisht thuhej se ishte vetëm Gjermania kundër miratimit të këtij raporti, tani janë të paktën 9 vende kundër, ndërsa numri i saktë mund të jetë i lartë pasi qeveria ka vendosur një censurë diktatoriale ndaj këtyre zhvillimeve.

Radio Evropa e Lirë sqaroi që në fillim se raporti IBAR është bllokuar për shkak të vendimit të Edi Ramës për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun nga hetimet për korrupsion masiv. Burimet nga Brukseli thonë se tanimë vendet anëtare të BE evidentojnë plot 92 boshllëqe për Shqipërinë.

Për t’i vënë kapak të gjithë kësaj historie, instituti i njohur V-Dem, që furnizon me të dhëna vendet anëtare të BE, e ka klasifikuar Shqipërinë si një autokraci elektorale për shkak të zgjedhjeve të vitit 2025. Zyrtarisht Edi Rama e ka futur Shqipërinë në mesin e diktaturave autoritare, ndërsa shanset që vendet e BE të negociojnë me një diktaturë të klasifikuar janë shumë të pakta.