Policia zbardh atentatin me eksploziv ndaj Mirash Gjikolës dhe shpall në kërkim kunatin e Ledjan Allushit dhe një prej të dyshuarve si anëtarë të grupit kriminal të drejtuar prej tij dhe Kristo Qiricit.
Allushi dhe Qirici në përplasje me bandën e Memaliajt janë në kërkim për trafik kokaine. Qirici është vëllai i Edmond Papës që u vra në Tiranë në përplasjen me grupin e Aleksandër Sadikaj e Adriatik Kalemit.
Sarandë
Tentuan të vrisnin me eksploziv një 57-vjeçar në muajin shkurt të këtij viti.
Pas hetimeve intensive, zbardhet ngjarja, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar.
Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve:
G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij.
Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.







