Institucioni i Avokatit të Popullit është përfshirë së fundmi nga debate dhe akuza të forta të brendshme, që sipas denoncimeve lidhen me mënyrën e drejtimit të tij nga Endri Shabani.
Një grup punonjësish kanë ngritur shqetësime për klimën e krijuar në institucion, duke folur për presione ndaj stafit, konflikte administrative dhe vendime të kontestuara për largime nga puna.
Sipas denoncimeve të bëra publike, përplasjet kanë nisur pas kundërshtimeve të disa procedurave të brendshme, të cilat një pjesë e administratës i kanë konsideruar të pambështetura në kritere ligjore apo profesionale.
Në qendër të konfliktit ndodhet Sekretari i Përgjithshëm i institucionit, një zyrtar me eksperiencë të gjatë në administratën e Avokatit të Popullit, i cili mësohet se ka refuzuar të miratojë disa vendime për largimin e punonjësve.
Sipas denoncimeve marrëdhëniet mes drejtuesit aktual dhe Sekretarit të Përgjithshëm janë tensionuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke sjellë përçarje edhe brenda stafit administrativ.
Punonjësit që kanë ngritur denoncimet pretendojnë se ndaj tyre është ushtruar presion dhe se janë përdorur mekanizma administrative për të ndëshkuar qëndrimet kundërshtuese.







